Një eksperiment televiziv në Britani, ka treguar përse në këtë vend është e nevojshme që të lejohen emigrantët.
Sipas këtij dokumentari eksperimental, të rinjtë britanikë janë dhjetë herë më të avashtë në punë, në krahësim me të rinjtë nga Europa Lindore.
Të rinjtë u dërguan në një fermë për të mbledhur lakra, një punë që bëhet zakonisht nga emigrantët, dhe jo vetëm që punonin dhjetë herë më avash, por kishin edhe ankesa të shumta.
Vetëm pas një ore pune, ata filluan të ankohen se u kishin ngrirë gishtat, se u ridhnin hundët etj.
Madje, një studente e Kembrixhit tha se duhet të ngrohte duart e akullta, ndërsa një tjetër u ankua se nuk kishte vënë dot makijazh.
Pronari i fermës ku u çuan studentët britanikë për këtë eksperiment, tha se punëson rreth 500 punëtorë, pothuajse të gjithë nga Europa Lindore.
Eksperimenti vjen në një kohë, kur në gjithë Europën Perëndimore ka një debat në rritje, kundër emigrantëve.
Vetëm se, ashtu siç tregoi edhe ky eksperiment, ata që janë kundër emigrantëve, harrojnë se janë pikërisht këta të fundit që bëjnë punët e vështira dhe të “pisëta”.(TemA)