Dritëhijet e TVSH-së së biznesit të vogël

8 Shkurt 2018, 09:58Ekonomia TEMA

Nga Gjon Ndreja

Ndryshimet e bëra nga Qeveria në Ligjin   për TVSH-në parashikojnë të shtrijnë skemën e TVSH-së për bizneset që realizojnë një xhiro prej mbi dy milion lekë. Kjo masë ka shkaktuar mjaft debate si nga komuniteti i biznesit ashtu edhe nga opozita dhe qeveria. Komuniteti i biznesit e paraqet këtë si një masë shtrënguese e cila mund të shkaktojë falimentimin dhe mbylljen e një numri të madh biznesesh dhe një pikëpamje e tillë mbështetet edhe nga opozita politike ndërkohë që qeveria mbron tezën se një masë e tillë do të  pakësojë evazionin fiskal dhe se nuk do të ketë ndikim në rezultatin financiar të biznesit të vogël. Pa bërë shumë teori lidhur me këtë  çështje po përpiqemi t’u japim përgjigje të gjitha palëve ne konflikt. Kështu referuar praktikës aktuale të ushtrimit të biznesit në vendin tonë të shpjegojmë për lexuesin  ndikimin konkret të kësaj mase mbi buxhetin e shtetit ashtu edhe mbi financat e biznesit. Në shembujt e mëposhtëm kemi marrë në shqyrtim se si ndryshojnë treguesit e TVSH-së dhe të fitimit të biznesit për një mijë lekë mallra të blera pa ndryshuar çmimin e shitjes me pakicë duke mbajtur në të njëjtin nivel shpenzimet e shitjes.

Rasti i parë

Ky rast i referohet shembullit kur një biznes i vogël, furnizohet me mallra e shërbime nga biznesi i madh, le të themi nga një fabrikë birre, në shumën 1.000 lekë pa TVSH dhe duke qenë se  biznesi i vogël nuk është subjekt i TVSH-së, e shet mallin  gjithashtu pa TVSH. Biznesi i madh nuk lëshon faturë tatimore me TVSH për biznesin e vogël duke kryer evazion fiskal. Kjo gjë bëhet e mundur nga fakti se biznesi i madh nuk e deklaron shitjen dhe kështu ai përveç TVSH-së së fshehur ul edhe arkëtimet nga shitja dhe për rrjedhojë edhe fitimin dhe tatimin respektiv mbi të ardhurat. Le të supozojmë se për shitjen e këtyre mallrave biznesi i vogël kryen shpenzime shitje ( paga, sigurime shoqërore,energji, qira etj) në masën 250 lekë që i korrespondon një niveli prej 25 përqind mbi çmimin e blerjes. Në këtë rast kostoja e mallrave të shitura arrin në 1.250 lekë (1000+250). Këto mallra shiten nga biznesi i vogël  në tregun me pakicë në shumën 1.668 lekë dhe biznesi i vogël ka siguruar një fitim prej 418 lekë ose një normë fitimi prej 33 %. (fitimi/koston). Biznesi i vogël e mban të pandryshuar çmimin e shitjes duke ju referuar tregut. Por ky çmim është vendosur si rrjedhojë se disa operatorë të këtij biznesi janë të rregullt dhe paguajnë TVSH-në. Në këtë rast biznesi i vogël përfshihet drejtpërdrejt në skemën e evazionit fiskal të realizuar nga subjekti që e ka furnizuar. Tregu dhe konkurrenca gjithashtu është deformuar, ndërsa shteti ka marrë më pak të ardhura në nivelin e 20 % të çmimit të shitjes me shumicë nga biznesi i madh, ose në shumën 200 lekë, plus 15 lekë tatim mbi fitimin, duke konsideruar se norma e fitimit të këtij biznesi është 15 përqind.

Rasti i dytë

Edhe në këtë rast biznesi i vogël nuk  është subjekt i TVSH-së por furnizimet e mallrave i merr me TVSH nga biznesi i madh i cili është i rregullt dhe nuk kryen evazion. Raste të tilla duhet thënë se janë të rralla për të mos thënë se nuk ekzistojnë fare. Por le të shohim se çfarë na thonë shifrat. Edhe në këtë rast shpenzimet e shitjes janë në të njëjtin nivel 250 lekë por kostoja e shitjes për biznesin e vogël tashmë rritet në 1.450 lekë (250 lekë shpenzime shitje + 200 lekë TVSH) për shkak se biznesi i vogël e paguan TVSH-në në blerje dhe kjo mbetet tërësisht në ngarkim të tij. Në kushtet kur çmimi i shitjes me pakicë mbetet i pandryshuar norma e fitimit të tij do të ulet nga 33 % në 15 përqind ose do të sigurojë një fitim  prej 218 lekë ose 200 lekë më pak aq sa është edhe TVSH-ja e paguar në blerje. Të ardhurat e buxhetit në këtë rast do të rriten në krahasim me rastin e parë duke siguruar një shumë prej 200 lekë TVSH që do të derdhë subjekti i biznesit të madh dhe 15 lekë tatim mbi fitimin ose gjithsej 215 lekë, për shkak të formalizmit të biznesit të madh.

Rasti i tretë

Ky rast i referohet shtrirjes së skemës së TVSH-së mbi biznesin e vogël me xhiro mbi dy milion lekë sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Çmimi i blerjes së mallrave, shpenzimet e shitjes dhe çmimi i shitjes me pakicë të mallrave konsiderohen të pa ndryshuara. Në këtë rast biznesi i madh është i detyruar të lëshojë faturë tatimore shitje me TVSH për shkak se biznesi i vogël është i interesuar drejtpërdrejt për një gjë të tillë për shkak se TVSH –ja e paguar në blerje është e kreditueshme dhe pakëson koston e mallrave të shitura të biznesit të vogël. Kështu Kostoja e mallrave të shitura nuk do të jetë 1.450 lekë si në rastin e dytë por 1.250 lekë pasi vlera e TVSH-së në blerje do t’i zbritet kostos së mallrave të shitura. Por duke qenë subjekt i TVSH-së në këtë rast  subjekti ynë i biznesit të vogël do të llogarisë dhe të paguajë TVSH-në. Në këtë rast vlera e TVSH-së do të jetë në masën 20 % mbi vlerën e shtuar të mallit që në rastin konkret vlera e shtuar e mallit do të jetë e barabartë me shpenzimet e shitjes plus fitimin e realizuar nga biznesi i vogël ose 390 lekë në kushtet kur çmimi i shitjes me pakicë  mbetet i pandryshuar në masën 1.668 lekë që do të thotë se TVSH-ja që detyrohet të paguajë biznesi i vogël është 78 lekë (390×20%)

Por çfarë rezulton në këtë rast. Vëmë re se të ardhurat e buxhetit shtetit janë rritur në masën 293 lekë nga 215 lekë që ishin në rastin e dytë (200 lekë TVSH e derdhur nga biznesi i madh + 15 lekë tatim fitimi nga biznesi i madh + 78 lekë TVSH e derdhur  nga biznesi i vogël) ose rreth 36 përqind më shumë se në rastin e dytë. Në kushtet kur çmimi i shitjes me pakicë konsiderohet i pa ndryshuar fitimi i biznesit të vogël ulet me 78 lekë aq sa është edhe shuma e TVSH që derdhet prej tij dhe norma e fitimit bëhet 11 % ose 4 % më e vogël se në rastin e dytë.

Disa përfundime:

3 komente në “Dritëhijet e TVSH-së së biznesit të vogël”

  1. Flori says:

    Profesor une qe po ju shkruaj jam nje ish student juaj ne Berat.
    Kam shume respekt per ju dhe jam plotesisht dakort me shpjegimin tuaj mbi kete teme,por ja qe kemi nje opozite te pa zakonte ne Shqiperi e cila kundershton çdo gje dhe pa arsyetuar fare nbi anet positive te ketyre nismave thjesht dhe vetem se duhet me patjeter te kundershtojme.
    Mirepo nga ana tjeter kemi nje shoqeri me nivel njohurish ekonomike nen mesatare shoqeri e cila trembet dhe tundohet nga manipulatoret e opozites
    te cilet mundohen me çdo kusht te hapin panik per perfitimet e tyre politike.Qeveria gjthashtu gaboi ne terheqjen e saj nga nisma fillestare e cila parashikonte perfshirje ne TVSH te gjithe biznesin dhe kjo tani ngelet serisht si te gjitha punet ne Shqiperi nje pune me shume e lene per gjysem.
    Pershendetje professor Gjoni.

  2. Flori says:

    Profesor une qe po ju shkruaj jam nje ish student juaj ne Berat.
    Kam shume respekt per ju dhe jam plotesisht dakort me shpjegimin tuaj mbi kete teme,por ja qe kemi nje opozite te pa zakonte ne Shqiperi e cila kundershton çdo gje dhe pa arsyetuar fare nbi anet positive te ketyre nismave thjesht dhe vetem se duhet me patjeter te kundershtojme.
    Mirepo nga ana tjeter kemi nje shoqeri me nivel njohurish ekonomike nen mesatare shoqeri e cila trembet dhe tundohet nga manipulatoret e opozites
    te cilet mundohen me çdo kusht te hapin panik per perfitimet e tyre politike.Qeveria gjthashtu gaboi ne terheqjen e saj nga nisma fillestare e cila parashikonte perfshirje ne TVSH te gjithe biznesin dhe kjo tani ngelet serisht si te gjitha punet ne Shqiperi nje pune me shume e lene per gjysem.
    Pershendetje professor Gjoni.

  3. Qytetari i thjeshte says:

    Analize e thjeshte dhe e vertete.
    Por kujt ja thua se.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje