Pas transmetimit në Fiks Fare të historisë së zj. Silvana, me aftësi të veçanta nga Delvina, Grupi Balfin ka reaguar menjëherë për rastin duke shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar.
Nëna e dy fëmijëve jetonte në kushte të vështira ekonomikë bashkë me nënën e saj, e cila vuan nga një sëmundje mendore dhe me raste bëhet edhe e dhunshme. E braktisur nga bashkëshorti, i cili ka marrë me vete edhe dy fëmijët, 41 vjeçarja e papunë të ardhura të vetme kishte pensionin e nënës së saj të sëmurë.
Grupi Balfin, me inisiativën direkte të Presidentit, Z. Samir Mane, ka plotësuar dëshirën e Silvanës për të pasur një makinë qepëse, me qëllim që ajo të ketë mundësi të fitojë të ardhura duke ushtruar zanatin e saj.
Në vizitën e bërë në banesën e Znj. Silvana, përfaqësues të Grupit Balfin i kanë ofruar asaj një sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore, ndihmë e cila do të vijojë për tre vitet e ardhshme në formën e një pensioni mujor prej 15,000 lekësh. Kjo shumë do t’i jepet familjes së saj çdo muaj, e konvertuar në ushqime nëpërmjet një prej maketeve të qytetit të Delvinës.
Grupi Balfin, si një biznes me përgjegjësi të lartë sociale, tregon përkujdesje në mënyrë të vazhdueshme për komunitetin ku vepron. Ndaj dhe kjo inisiativë vjen si pjesë e donacioneve të Fondit Balfin, të krijuar me përkujdesjen e veçantë të vetë Z. Mane, me qëllim mbështetjen e shtresave të varfëra.