Frikë nga e shkuara në Kroaci, pyetjet për luftën «u ndaluan» gjatë vizitës së Vuçiçit

15 Shkurt 2018, 11:45Politika TEMA

Deputetë të opozitës në Kroaci kritikuan zyrtarët në Zagreb të cilët udhëzuan gazetarët të mos e pyesnin presidentin serb Aleksandër Vuçiç për retorikën e tij nacionaliste gjatë luftërave të viteve 1990.

Nga Seven Mikeliç

Disa deputetë kroatë të opozitës të martën kritikuan zyrtarët që u thanë gazetarëve të mos e pyesnin Aleksandër Vuçiqin për retorikën e tij polemike gjatë luftërave të viteve 1990 gjatë një konference për shtyp që pasoi takimin e tij me presidenten kroate Kolinda Grabar Kitaroviq. Më i zëshmi ishte Bojan Glavasheviq, një deputet i Partisë Socialdemokrate të opozitës (SDP), i cili citoi raportet e mediave në të cilat gazetarët ishin udhëzuar në mënyrë specifike nga zyra e presidentes kroate që të mos e pyesnin Vuçiqin për një deklaratë që ai bëri në qytetin kroat të Glinës në mars 1995.

Në Glina, e cila në atë kohë ishte nën kontrollin e serbëve rebelë të Kroacisë, Vuçiq foli në një takim publik dhe tha: «Shteti ustash s’do të vijë më kurrë këtu.» Fjalimi prej katër minutash në Kroaci shihet gjerësisht si nacionalist. «Fakti që presidentja kroate i ndaloi gazetarët ta pyesnin Vuçiqin për fjalimet e tij luftënxitëse ishte një poshtërim dhe një shuplakë në fytyrën e çdo viktime të luftës», tha Glavasheviq në parlament të martën. Ai u shpreh se «Kroacia u poshtërua» nga vizita e Vuçiqit, pasi ai nuk erdhi si mik ose «nuk kishte ndonjë qëllim të mirë ndaj Kroacisë».

Babai i Glavasheviqit, gazetari radiofonik Sinisha Glavasheviq, u vra në nëntor 1991, pasi qyteti lindor kroat i Vukovarit u mor nga Armata Popullore e Jugosllavisë dhe paraushtarakët serbë.

Kur u njoftua për herë të parë se Vuçiq do të vinte në Zagreb, Glavasheviq përmendi çështjen sesi Partia Progresiste Serbe e Vuçiqit kishte ftuar Veselin Shlivançaninin, një ish-oficer i APJ-së i dënuar nga Gjykata e Hagës për masakrën e Vukovarit në vitin 1991, në eventet e partisë së tij.

«Vuçiqi është njeriu që ende edhe sot është mik me Veselin Shlivançanin, kasapin e vërtetuar ligjërisht të Vukovarit», tha Glavasheviq në fjalimin e tij të martën.

«Ka një rrugë drejt pajtimit, por Vuçiq dhe Grabar Kitaroviq nuk mund të na udhëheqin në atë rrugë. Vetëm njerëzit e mirë mund të na udhëheqin në këtë rrugë», shtoi ai.

Miro Bul, një deputet opozitar nga Ura e Listave të Pavarura, MOST, kritikoi gjithashtu vizitën e Vuçiqit, duke thënë se ai i tha Vuçiqit të shkonte në Glina ndërsa ai kalonte në korridoret e parlamentit të hënën.

Vuçiq të martën po viziton komunitetin serb në qytetin e Vrginmost në Kroacinë qendrore.

Bul tha se ai «duhet të shkojë në Glina dhe t’u kërkojë falje njerëzve me etni serbe». Ai theksoi se Vuçiq ishte një anëtar i Partisë Radikale Serbe gjatë luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi.

Në një artikull për Politico të martën, Vuçiq përmendi shkurtimisht të kaluarën e tij të kohës së luftës pa kaluar në gjëra specifike. «Si i ri që isha atëherë, nuk e kuptova se çfarë mund të fitohej nga bashkëpunimi mes vendeve të ndara.

Por tani e di që vendi im pagoi një çmim të lartë për ekseset nacionaliste», shkroi ai. Artikulli fliste për një bashkëpunim më të madh ekonomik midis vendeve të Ballkanit, duke i bërë thirrje atyre «të përqendrohen në atë që na lidh bashkë».

«Çështjet që na bashkojnë janë shumë më të forta sesa ato që na ndajnë», shkroi Vuçiq.
(BIRN)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje