Ky është momenti kur adoleshenti që qëlloi për vdekje 17 persona në një shkollë të mesme në Florida, përplaset për tokë nga policia dhe prangoset.
Nikolas Cruz, 19-vjeç, i cili kreu sulmin në shkollën Marjory Stoneman Douglas” në Parkland gjatë të mërkurës pasdite, ishte i armatosur me pushkë automatike, por vetëm një orë pas incidentit të tmerrshëm u arrestua në Coral Springs.
Në videon e publikuar më poshtë, shihet Cruz duke qëndruar i shtrirë në tokë dhe me duart e ngritura lart si shenjë dorëzimi, derisa policët i drejtojnë armët dhe një tjetër vrapon për ta prangosur.
Autoritetet e sigurisë kanë njoftuar se ai është arrestuar pa rezistuar, ku më pas është dërguar në spital dhe më pas në paraburgim ku sipas CNN nëse ai dënohet e pret një dënim me vdekje.
Cruz ishte i armatosur me pushkë automatike të tipit AR-15 dhe kishte disa karikatorë të tjerë më vete, granatë tymi të cilën e përdori kur u fut në shkollë me maskë të gazit.
Hetuesit janë duke shqyrtuar mundësinë, nëse Cruz kishte ndezur alarmin e zjarrit për të krijuar panik tek nxënësit në momentin e sulmit.
Autoritetet policore thanë se Cruz vrau tre persona jashtë shkollës, para se të hynte në ndërtesë. Raportohet se mes viktimave është edhe një trajner futbollit, por ende asnjë emër nuk është bërë publik. Zyrtarët thanë se nuk kishin qenë në dijeni të ndonjë kërcënimi që mund të ishte bërë para ngjarjes.
Ndërkohë një video e filmuar me telefon tregon momentin kur fillojnë të shtënat në shkollën e mesme në Florida. Në momentin kur dëgjohen shkrepjet e plumbave, dëgjohen nxënësit duke bërtitur dhe dikush vazhdimisht thotë: “Oh Zot! Zoti im”. Nxënësit fshihen nëpër bankat e klasës, por nuk dihet nëse të shtënat që dëgjohen kanë ndodhur brenda kësaj klase, apo të ndonjë tjetër afër saj.
FBI konfirmoi se ka qenë e paralajmëruar për adoleshentin, i cili dyshohet se ka kryer sulmin me të shtëna masive në ish-shkollën e tij në Florida.
Nikolas Cruz, i cili është ngarkuar me 17 akuza për vrasje me paramendim, raportohet se ka komentuar një video në YouTube vitin e kaluar, duke thënë: “Do të jem qitës profesionist në shkollë”.
Një përdorues i ka alarmuar autoritetet për postimin. FBI tha se e ka hetuar komentin në YouTube, porse nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë plotësisht personin që e ka postuar atë.(TemA TV)