"Dora e hekurt në polici", zv.ministri tregon se çfarë do ndodhë në 24 muaj me Policinë, SHÇBA dhe Gardën

21 Shkurt 2018, 17:15Kronika TEMA

Brenda 2 vitesh vettingu në polici pritet që të japë rzultatet e plota.

Pritet që implementimi i tij të largojë brenda dy viteve të gjithë punonjësit e policisë që rezultojnë se kanë pasuri të pajustifikuar apo që kanë shkelur ligjin gjatë ushtrimit të detyrës.

 

Zv.ministër i Punëve të Brendshme, Julian Hodaj, tha se ligji nis nga puna 15 ditë pasi të miratohet nga kuvendi.

Ai shtoi se faza e parë do të zgjasë 24 muaj dhe faza e dytë do të përsëritet në fragmente kohore çdo 3 vite.

“Procesi i vlerësimit në Policinë e Shtetit, SHÇBA dhe Gardën e Republikës, synon të mbështesë pjesën e shëndetshme në radhët e këtyre institucioneve duke larguar pjesën e infektuar dhe që ka probleme me ligjin, duke synuar hedhjen e bazave për të ndërtuar policinë e së ardhmes.

“Procesi mbështet në tre kritere, tek pastërtia e figurës, tek pasuria dhe tek aftësitë profesionale. Ideja është që në vlerësim do të kalojnë të gjithë punonjësit duke nisur nga titullari deri tek punonjësi më i thjeshtë.

“Sistemi i gradave ndan këta punonjës në tre kategori, grada e lartë ku bëhet fjalë për 300 punonjës, e mesme që e kanë 3 mijë punonjës dhe e ulët ku futen rreth 9 mijë punonjës. Do vlerësohen fillimisht gradat e larta, pra drejtuesit e mëdhenj. Për vlerësimin e gradave të larta, do përdoret një komision që në ligj quhet Komisioni i Jashtëm, që janë anëtarë nga jashtë sistemit të Policisë së Shtetit. Konkretisht 5 anëtar vijnë nga LDKPI, 5 anëtarë nga radhët e pedagogëve, dhe 5 anëtarë përzgjidhen me konkurrim anëtarësh. Në fazë të dytë është Komisioni Qendror i Vlerësimit që do të ketë 45 anëtarë, 30 nga të cilët do të shtohen nga radhët e policisë që e kanë kaluar “Vetting”-un në fazën e parë. Në fazën e fundit komisioni i vlerësimit do të ketë 135 anëtarë që do të shtohen nga radhët e Policisë që kaluan fazën e dytë me sukses”, deklaroi Hodaj për ATSH.(TemA)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje