Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen që tronditi qytetin bregdetar një muaj më parë, kur nënë e bir Selkie dhe Olsi Hoxhallari, u gjetën të vdekur në banesën e tyre.
Në pranga e policisë janë vënë dy autorët e dyshuar, Hysnie Hoxhallari, nusja e viktimës, dhe Kasëm Pirjasi, 26 vjeç, banues në Strum Fier.
Ata kanë vrarë nënë e bir, pas një konflikti për vjedhjen e 12 milionë lekëve, dhe për të fshehur gjurmët, i kanë vënë flakën shtëpisë.
“Strukturat e Hetimit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, finalizuan operacionin e koduar “Devijimi”, ku është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur në muajin Janar 2018 në lagjen “24 Maji” Vlorë.
Hetimet intensive nisën menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në muajin janar, ku u gjetën të pajetë e të djegur në banesën e tyre shtetasi O.H. dhe nëna e tij shtetasja S.H., pasi nga grupi hetimor u krijua bindja se nuk kishim të bënim me një ngjarje aksidentale, por me një vrasje“, sqaron policia.
“Të dy shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar e më pas kanë vrarë shtetasit O.H., e S.H., si dhe kanë shkaktuar zjarr në banesë me qëllim fshehjen e provave duke synuar për ta devijuar ngjarjen si “aksidentale”.
Në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar arma e ftohtë me të cilën dyshohet se është kryer krimi mjet prerës i fortë prej metali.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim”, thuhet në deklaratën e policisë.(TemA)
Ka bota Romeo dhe Zhulieta, po ka edhe Shqiperia Kasemi dhe Hysnija!