Gjenerali Halim Ramohito, i cili në fundin e viteve ’50 ka qenë përfaqësues ushtarak i Shqipërisë në Komandën e Forcave Ushtarake të Traktatit të Varshavës dhe njëkohësisht atashe ushtarak në Moskë, ka rrëfyer për DITA, dy muaj përpara se të ndërronte jetë në nëntor 2013, disa detaje nga marrëdhëniet me kolegët e tij të vendeve ish-komuniste.
Ndër të tjera bie në sy mënyra e ndryshme se si ushtarakët e asaj kohe e shihnin raportin me femrën.
“Në Poloni u miqësova me shefin e Shtabit të Ushtrisë, gjeneralin Barxilovski. Ishte një njeri erudit, me kulturë të lartë ushtarake. Ishte viti 1958 dhe në qytete të ndryshme polake zhvilloheshin konkurse bukurie për “Miss Polonia”. Konceptet e mia në atë kohë për aktivitete të tilla ishin krejt ndryshe; për formimin tim ishin imorale, ishin herezi e nuk mund të zhvilloheshin. I them gjeneralit polak në konfidencë, por dhe i çuditur, që e cila ishte konstatuar edhe nga bashkëbiseduesi: “Ç’janë këto që bëni ju këtu në Poloni. Pse nuk i harxhoni këto para që keni caktuar më miset, për aktivitete të evidentimit e propagandimit të punëtorëve dhe fshatarëve të dalluar!?”
-M’u përgjigj: “Shiko, shiko… Ne të bukurën e shikojmë dhe e pëlqejmë çdo ditë të gjithë e i bëjmë asaj dhe monumente. Edhe ti si djalë i ri që je, qofsh dhe gjeneral siç je, nuk bën përjashtim”. Në ditët në vazhdim, gjenerali polak, miku im i mirë, siç bënte për vete që priste fotot më të mira të vajzave në revista e gazeta polake e i vendoste në portofolin e tij, përkujdesej dhe m’i fuste edhe mua nëpër xhepat e uniformës së gjeneralit. Në fakt, unë i hiqja fotot që më fuste në xhep gjenerali polak, por njërën prej tyre e kisha harruar në xhep. Kur u ktheva në Moskë, më hapi jo pak telashe me gruan. M’u desh t’ia shpjegoj gjerë e gjatë, me hollësi, si u gjend kjo foto në xhepin e kostumit tim” – rrëfen Ramohito.
Ramohito tregon edhe se më solidarët me problemet shqiptare ishin ushtarakët e Gjermanisë lindore:
“Gjatë punës time në Shtabin e Bashkuar të Traktatit të Varshavës, më shumë miqësi edhe familjare, pata me përfaqësuesin e Republikës Demokratike Gjermane. Më shumë se kushdo tjetër nga vendet e tjera në atë organizëm të lartë, përfaqësuesit gjermano-lindor, në situatat e rënda e kritike të përkeqësimit të marrëdhënieve tona me Bashkimin Sovjetik e Traktatin e Varshavës, në debate të ndryshme(ndër më të rëndësishmit ai për Bazën Luftarake Detare të Vlorës), dhanë shenja solidariteti me ne, megjithëse pa asnjë rëndësi vendimtare.
Shefi i Shtabit të Gjermanisë(Lindore), gjatë e pas ballafaqimit të ashpër që pata me Marshallin Sovjetik në Moskë, në prezencë të mbi njëqind e pesëdhjetë gjeneralëve dhe akademikëve të ushtrive të vendeve anëtare të Traktatit të Varshavës, u shpreh hapur me ne e në favorin tonë. Ai i tha veçmas gjeneralit tonë Arif Hasko se: ”Kisha dëgjuar që ju shqiptarët e cilësoni veten si shqiponja, dhe e treguat veten para udhëheqësve ushtarakë sovjetikë. Jeni në të drejtën tuaj”.
Ruaj në kujtesë dhe në ditarin tim dhe shumë fakte të tjera ku gjeneralët dhe ushtarakët e Gjermanisë lindore në këtë Pakt, nuk ngurronin të shfaqnin pakënaqësitë e tyre e mosbesimin ndaj udhëheqjes ruse të kohës” – rrëfen ish-ushtaraku i lartë shqiptar.