Vllaznia, Berisha: Duhet ta mundim Flamurtarin

4 Mars 2018, 14:00Sport TEMA

Vllaznia luan një ndeshje shumë të rëndësishme nesër në stadiumin “Loro Boriçi”, ku pret Flamurtarin e vendit të dytë.

Për këtë sfidë delicate, ku shkodranëve u bën punë vetëm fitorja, ka folur në konferencë shtypi mbrojtësi i qendrës, Sedat Berisha, i cili theksoi se Vllaznia nuk duhet të shohë çfarë bën Teuta, por të fitojë ndeshjen e saj.

“Vllaznia patjetër që do të synojë ta fitojë ndeshjen ndaj Flamurtarit. Jemi duke u përgatitur ashtu si duhet për këtë ndeshje dhe padyshim që besojmë vetëm te marrja e tri pikëve. Vërtet duket se ka presion te Vllaznia, por ky presion është vetëm nga jashtë, sepse në skuadër situata është shumë e mirë.

Kemi një kolektiv të shkëlqyer dhe besoj se edhe rezultatet do të vijnë. Në ndeshjet e para ndoshta kemi pasur probleme në mbrojtje, sepse duhej të ambientoheshim me njëri-tjetrin, por besoj se nga ndeshja në ndeshje do të rritemi dhe do të marrim  rezultatet e duhura.

Vllaznia nuk është për këtë pozicion. Sa i takon Teutës, them se nuk na intereson çfarë bën ajo, sepse na intereson vetëm ekipi ynë dhe ecuria jonë”, – ka thënë mes të tjerash mbrojtësi nga Maqedonia, autor i një goli me fanellën e Vllaznisë në kampionat.

Ai është i lumtur për ambientin që ka gjetur dhe ka premton  maksimumin për Vllazninë: “Ky është prononcimi im i parë për mediet që kur kam ardhur në Shqipëri. Dua të them se më kanë pritur jashtëzakonisht mirë të gjithë, trajneri, shokët e ekipit, tifozët.

Këtu kampionati është më i fortë se në Maqedoni, por besoj se jam përshtatur shumë mirë dhe do të bëj maksimumin tim që skuadra të arrijë rezultatet e duhura”, – përfundoi Berisha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje