ANALIZA: Matematika politike dhe manovrat pas zgjedhjeve në Itali, 5 skenaret për qeverinë e re

6 Mars 2018, 16:24Bota TEMA

Si mund të qeverisësh një vend që ka 246 lloje djathi? Kështu u përgjigj dikur Charle de Gaulle, kur e pyetën për vendin e tij që nuk qeverisej kollaj. Nëse i shërben sarkazmës, le të kujtojmë se Italia ka 487 lloje djathi.

Triumfi i ekstremit të djathtë, Lega, dhe partisë antiestablishment, Lëvizja 5 Yjet, në zgjedhjet e së dielës përfaqëson një pikë kthese në ekonominë e tretë të eurozonës. Kjo do të shënonte herën e parë që një qeveri e një vendi të grupit themelues të BE-së do të drejtohet nga një parti populiste.

Bisedimet për koalicionin që do të drejtojë vendin mund të duan javë dhe muaj për shkak të matematikës së komplikuar politike, pasi asnjë prej partive nuk ka shumicën që duhet për të qeverisur. Sistemit politik do t’i duhet kohë për të kaluar shokun e shkaktuar nga rezultati që hodhi në erë sigurinë e ndarjes së qartë mes qendrës së majtë dhe asaj të djathtë në zemër të politikës italiane.

Në këto kushte, këto janë 5 skenaret e asaj që mund të ndodhë, duke nisur nga opsioni që ka më shumë gjasa.

Qendra e djathtë

Lideri i Lega-s, Mateo Salvini, tha të hënën se koalicioni i tij me ish-kryeministrin Silvio Berlusconi i ka fituar zgjedhjet dhe duhet të formojë qeverinë e re. Ai e përjashtoi mundësinë e “aleancave të çuditshme” me forca të tjera politike. Rezultatet paraprake tregojnë se dy partitë e djathta kanë nevojë për të tjerë për të formuar koalicionin qeverisës, por nuk është e pamundur që t’i sigurojnë vetë vendet e nevojshme në Parlament.

Projeksionet tregojnë se ata do të përfundojnë me 274-257 vende në Dhomën e Ulët (ku maxhoranca duhet të ketë 316 të tilla) dhe 128-140 në Senat (ku duhen 158 vende). Në këtë rast, kryeministri do të dilte nga Lega, me shumë gjasa vetë Salvini, si pasojë e marrëveshjes paraelektorale mes dy partive. Një qeveri e drejtuar nga një figurë kaq antieuropiane do ta bënte Italinë një partner të vështirë për Brukselin.

Lëvizja 5 Yjet – Lega

Kjo do të ishte një qeveri e fituesve të vërtetë: Lega në Veri dhe Lëvizja 5 Yjet në Jug (kjo sipas shpërndarjes së votës së 4 marsit). Në ditët e fundit të fushatës, lideri i Partisë Demokratike, Matteo Renzi, u përpoq ta përdorte frikën që shkakton një rezultat i tillë për t’i tërhequr votuesit drejt vetes, por dështoi. Në Dhomën e Ulët, Lëvizja 5 Yjet pritet të fitojë 230-240 vende, ndërsa Lega 115-123, çka do të thotë se të dyja bashkë kanë numrat e duhur për të formuar qeverinë.

Mgjithatë Salvini e ka përjashtuar mundësinë e një aleance me Lëvizjen 5 Yjet, çka do ta vinte në rrezik paktin që Lega ka me qendrën e djathtë në rajone kyçe si Lombardia, Veneto dhe Liguria. Në të njëjtën kohë, nëse Salvini bashkëpunon me Lëvizjen 5 Yjet do të bëhej partia e vogël e koalicionit, ndërkohë që me Forza Italia-n ka mundësinë për të kryesuar vetë qeverinë. Për më tepër, ka edhe një problem tjetër me tregjet financiare, për të cilat një aleancë e kësaj natyre mes dy partive antiestablishment do të ishte “skenari më i keq”, sipas një studimi të kryer nga banka zvicerane, UBS.

Lëvizja 5Yjet dhe e majta

Partia Demokratike, pritet të marrë 104-110 vende në Dhomën e Ulët, ndërsa e majta si e tërë mund të arrijë në 47-55 vende në Senat, çka do të thotë se ka mundësi për koalicion me Lëvizjen 5 Yjet. Gjatë fushatës, lideri i PD-së, Mateo Renzi, disa herë e ka përjashtuar aleancën me Lëvizjen 5 Yjet. Megjithatë, dorëheqja e tij nga posti i kryetarit ditën e djeshme mund të ketë krijuar hapësirat për manovra.

Lideri i Lëvizjes 5 Yjet, 31-vjeçari Luigi di Maio, duket se ka vënë bast në skenarin e tij. Kur u prezantua kabineti qeveritar gjatë fushatës, ra në sy se disa prej emrave të kandidatëve për ministra ishin të lidhur me të majtën. P.sh., i zgjedhuri si ministër Arsimi, Salvatore Giuliano, ka kontribuuar në hartimin e reformës në arsim për llogari të qeverisë së Renzit.

Një qeveri tranzitore

Nëse do të krijohet një ngërç politik pas shpalljes së rezultateve zyrtare, presidenti Sergio Mattarella ka opsionin e emërimit të një qeverie afatshkurtër me kompetenca të kufizuara. Kjo qeveri do të kishte qëllim kryesor miratimin e buxhetit për këtë vit dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor për të shmangur një tjetër parlament joefektiv. Nëse palët politike vendosin veto ndaj njëra-tjetrës, ky do të kthehej në skenarin më të mundshëm.

Koalicioni i madh

Ndërsa italianët hodhën votën në kuti të dielën që shkoi, socialdemokratët në Gjermani ishin të zënë me miratimin e “koalicionit të madh” me konservatorët e Angela Merkelit, një rezultat që dukej i pamundur në shtator, kur u zhvilluan zgjedhjet.

Për muaj me radhë, një skenar i ngjashëm është diskutuar edhe në Itali, megjithëse të gjithë, që nga Renzi e deri te Berlusconi, e kanë mohuar mundësinë e një inciucio, një term napolitan që po përdorin mediat italiane për të përshkruar një marrëveshje mes palëve kundërshtare. Megjithatë, edhe nëse do të donin ta bënin një marrëveshje të tillë, qendra e djathtë dhe ajo e majtë thjesht nuk i kanë numrat e duhur.     

Përgatiti: Gazmira Sokoli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje