Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ka folur pas fitores së marrë kundër Teutës.
Trajneri i verilindorëve tha se kjo ishte një sfidë mjaft e vështirë pasi që të dy ekipet kërkonin fitore, por tregoi dhe një detaj gjatë pushimit të pjesës së parë duke treguar se presidenti motivoi lojtarët dhe kjo ndikoi tek fitorja.
“Mendoj që problemi ishte se dy ekipet luftonin sot për diçka. Ne po tentojmë me çdo kusht të mbajmë vendin e dytë, ndërsa Teuta lufton për mbijetesë. Na ka munguar shumë agresiviteti, pasimet, nuk e filluam fare mirë.
Mendoj që ekipi u zgjua nga gjumi pas golit. Në 20 minutat e fundit të pjesës së parë tentuam barazimin. Sot, kishim presidentin në dhomat e zhveshjes dhe e motivoi shumë ekipin, ndikoi pozitivisht te ekipi.
Shënuam dy gola, kishim dhe raste të tjera. Mendoj që shumë të rëndësishëm golat e Gurit dhe të Shkodrës. Siç do trajner do dëshiroja që të kishim mbrojtësit në gjendje të mirë, por na kanë ndëshkuar edhe kartonat. Është fakt që kur kam ardhur këtu, kam parë video të Shkodrës edhe e di që ai është më i tërhequr, por tani me ikjen e Bakajt do ketë më shumë shanse”, tha Pkult.
Ndërsa trajneri i Teutës, Gentian Begeja, u shpreh:
“Nuk e di çfarë të them. Në përgjithësi zhvilluam një ndeshje të mirë. Nuk dua të merrem me arbitrin, nuk besoj se Kukësi ka nevojë për kaq shumë ndihmë në një ambient shumë irritues. Na ndëshkoi goli në fund të pjesës së parë. Edhe goli i tretë që erdhi për mos vëmendje të mbrojtjes. Skuadra reagoi edhe pas golit të 3, patëm rastet tona, shënuam. Alla nuk ishte i mendimit që skuadrat të marrin atë që japin në fushë.
E thashë që ai gol i barazimit na uli anën psikologjike të skuadrës. Nëse shikoni situatat, në zonë sikur bëhej mundje, e jo sikur luhej futboll. Ishte çështje minutash që do na ndëshkonin. Jam shumë i mërzitur për ndeshjen sot.
Kukësi shquhet për mundje, sepse ka nxjerrë kampionë të mëdhenj, por në futboll nuk ishte nevoja për kaq irritim sot.
Për mendimin tim, po të shikoni ndeshjen, arbitri dukej qartë që favorizonte lojtarët e Kukësit, në çdo dyluftim. Në zonë, me kapje, me tërheqje, Kukësi vetëm ashtu luante. Në 90 minuta, arbitri ndikoi tek ndeshja”, u shpreh Begeja.