FOTO: Turpi s’ka fund, FSHF mburret me manipulimin e Komitetit Ekzekutiv

12 Mars 2018, 19:08Sport TEMA

Federata Shqiptare e Futbollit e trumbeton si një arritje të madhe faktin se ka manipuluar në mënyrë të dukshme dhe të turpshme votimin për Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së.

Studimi i pamjeve filmike të Asamblesë Zgjedhore tregon qartësisht se është gabuar në numërimin e votave të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, jo vetëm në raundin e parë, por edhe në të dytin, nga ana e sekretariatit të FSHF-së.

Kjo qartësisht të çon në mendimin se gjithçka ka qenë e mirëmenduar, pa u shqetësuar se struktura që drejton aktualisht futbollin shqiptar është plotësisht e jashtëligjshme.

FSHF vazhdon me arrogancë ta trumbetojë këtë si një arritje të madhe dhe nuk jepet asnjë shpjegim për këtëmanipulim të turpshëm.

Në revistën zyrtare të këtij institucioni, të publikuar në faqen e internetit, nuk mund të mungonte këtë muaj një shkrim për zgjedhjet e shkurtit ku u zhvillua ky skenar. Në shkrimin e Shefit të Sektorit të Mardhënieve me Publikun në FSHF, Gerti Çarçani, tregohet i gjithë procesi i 7 shkurtit, ku një pjesë u kushtohet zgjedhjeve të Komitetit Ekzekutiv.

“Më pas u kalua edhe në votimin për zgjedhjen e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, ku në raundin e parë u zgjodhën pesë anëtarë, ndërsa u nevojit një tjetër raund për zgjedhjen e 4 anëtarëve të tjerë. Në përfundim, të procesit, zv.Presidenti i UEFA-s, z.Surkis çertifikoi standartet e një procesi serioz zgjedhor”, shkruhet në revistën zyrtare të FSHF ku renditen 9 emrat fitues që përbëjnë Komitetin Ekzekutiv.

Në fakt, Surkis me siguri nuk e di se sipas votave, raundi i parë i duhej të përfshinte mes fituesve edhe Ekrem Spahiun. Kësisoj, në raundin e dytë do të votohej për 3 anëtarët që mbeteshin. Gjithashtu, në radunin e dytë, fituesi sipas votave nuk ishte ndërtuesi i “Arenës Kombëtare”, Edmond Spahiu, por Kristijan Gjidodaj, fakt që e bën edhe më skandaloze ekzistencën dhe vazhdimësinë e këtij organi të ndërtuar në mënyrë të paligjshme. (vipsport.al)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje