Milani nuk arriti dot të bënte të pamundurën të mundur. Kuqezinjtë edhe pse krijuan iluzionin se mund të përmbysnin humbjen 2-0 të ndeshjes së parë, u mposhtën me rezultatin 3-1 nga Arsenali edhe në sfidën e kthimit të zhvilluar në Emirates me skuadrën e Wenger që siguroi kështu kualifikimin në çerekfinalet e Europa League duke vazhduar rrugëtimin drejt një triumfi të mundshëm në këtë kompeticion nëpërmjet të cilit, Arsenali do të shpëtonte sezonin.
Pas një fillimi të mirë Milani arriti të gjente golin në minutën e 35-të me turkun Hakan Calhanoglu që realizoi një supergol nga distanca. Por vetëm pak çaste më vonë gjyqtarët e sfidës u bënë protagonistë duke akorduar një penallti të çuditshme në favor të Arsenalit për një faull të Rodriguez ndaj Welbeck. Sulmuesi anglez nuk gaboi nga 11-metra distancë duke barazuar shifrat.
Në pjesën e dytë Milani iu afrua sërish golit të avantazhit por pa e gjetur dot atë. Po nuk shënove do të pësosh dhe kjo ndodhi edhe me kuqezinjtë, me Arsenali që shuajti shanset e skuadrës së Gattusos për t’u kualifikuar me golat e Granit Xhakës dhe Danny Welbeck, edhe pse në golin e mesfushorit me origjinë shqiptare duhet theksuar se pati një peshë të madhe të fajit Donnarumma që nuk e kontrolloi siç duhet topin.
U eliminua nga Europa League një tjetër skuadër e madhe pikërisht Borussia e Dortmundit që ndaj Salzburgut në Austri barazoi pa gola me skuadrën vendase që avancoi më tej falë suksesit 2-1 në ndeshjen e parë.
Bëri harakiri Olympique Lyon. Skuadra e Bruno Genesios ëndërronte finalen e madhe që do të luhet pikërisht në stadiumin e Lyonit, por francezët i dhanë lamtumirën Europa Leagues, sepse nuk arritën të ruanin fitoren 1-0 të ndeshjes së parë në Rusi ndaj CSKA-së, me skuadrën moskovite që u kualifikua në çerekfinale falë fitores 2-3 në transfertë.
Një gol më shumë në fushën kundërshtare, ishte i mjaftueshëm që ekipi rus të vazhdonte më tej dhe të ndalte në mes ëndrrën e OL. Golat për miqtë u shënuan nga Golovin, Musa dhe Wernbloom ndërsa për Lyonin realizuan Cornet dhe Mariano Diaz.