Portali i gazetarit të njohur italian Xhanluka Di Marcio, i ka kushtuar një reportazh ish-sulmuesit të përfaqësueses shqiptare të futbollit, Erjon Bogdani, aktualisht trajner i përfaqësueses U-19 kuqezi.
Në një rrëfim që përqendrohet më shumë te vitet e tij te skuadra e Sienës, “Er-Bomber” tregon eksperiencën te ajo skuadër, aty ku u kthye në një nga emrat më të respektuar në futbollin italian.
“Mbërrita në verën e vitit 2005. Kërkoja një skuadër që të më lejonte të luaja me vazhdimësi dhe gjeta një grup me cilësi të mëdha. Ajo ishte periudha me e lumtur e jetës time futbollistike”, tregon ish-sulmuesi i cili u transferua aty pas një sezoni të shkëlqyer me Veronën, ku kishte qenë golashënuesi kryesor. “Kisha shënuar 17 gola, por dukej sikur për mua nuk kishte më vend. Maxarri më vlerësonte, por kisha më shumë garanci të luaja te Siena dhe kisha Enriko Kiezën si shok në repartin e sulmit”, vijon ai.
Bogdani u kthye në një personazh të njohur në Serinë A, duke ndihmuar Sienën të mbijetonte. “Në Palermo shënova një tregolësh. Ishte një fitore e rëndësishme sa i përket mbijetesës. Vinim nga një periudhë e errët. Të dielën e mëparshme, Milani na kishte shembur në shtëpi. Gazetat shkruanin që isha i ngathët dhe jashtë forme. Një javë më vonë më vunë notën 9”.
Bogdani u largua pas dy vitesh, për t’u kthyer përsëri në vitin 2012 te Siena, ku eksperienca zgjati një vit, edhe pse arriti të shënonte tre gola që në 3 ndeshjet e para. “Fatkeqësisht vitin tjetër shkoi gjithçka keq dhe ramë nga kategoria. Vendosa që erdhi momenti të lija futbollin”, tregon Bogdani i cili filloi asokohe të mendonte për karrierën e re, atë të trajnerit.
Tani ai është në drejtimin e Shqipërisë U-19. “Mundohem t’u transmetoj idetë dhe eksperiencën time që kam mbeldhur në fushë, duke bashkuar atë që kam mësuar nga trajnerët e mi. Më pëlqen të luaj me sistemin 4-3-3, por nuk jam një person me mendime të ngulitura. Moduli varet gjithmonë nga lojtarët që ke dhe nga ata që ke përballë”, ishin fjalët e Bogdanit për këtë eksperiencë të parë të tij në drejtim.