Në ditën kur Kosova ka arrestuar dhe deportuar për në Turqi gjashtë “kundërshtarë” të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ky i fundit i ka telefonuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat e Kosovës, ndërsa Presidenca nuk ka lëshuar asnjë njoftim as për telefonatën dhe as për përmbajtjen e saj.
Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Lajmeve e Turqisë, Anadolu Agency, ka thënë se Erdogan e Thaçi folën për tensionet e fundit në veri të Kosovës. Erdogan, sipas AA-së, foli edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“Sipas të dhënave të siguruara nga burimet presidenciale turke, gjatë bisedave telefonike është folur rreth tensioneve pas arrestimit të shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe Marko Gjuriç të hënën. Erdoğan ka theksuar rëndësinë që të kushtohet kujdes maskimal që rasti në fjalë të mos e dëmtojë procesin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës”, raporton AA.
“Presidenti turk ka thënë se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është i një rëndësie tejet të madhe për paqen e rajonit, duke shtuar se Turqia është e gatshme të ofrojë çdo kontribut në këtë drejtim”, ka shtuar më tej.