Kryebashkiaku i Kamzës s'trembet nga drejtësia, Xhelal Mziu 12 tendera të dyshimtë që i fitojnë të njejtat kompani

3 Prill 2018, 08:31Politika TEMA

Bashkia e Kamzës, me në krye Xhelal Mziun, në harkun kohor të tetë muajve (maji-dhjetor 2017), ka zhvilluar 12 tendera në mënyrë të dyshimtë.

Tenderat karakterizohen nga mungesa e garës, nga skualifikimi i të gjithë konkurrentëve të tjerë si dhe nga procedura me negocim paraprak, ndonëse vlera është mbi 5 milionë lekë.

Të gjitha këto procedura lejohen nga ligji në kushte, rrethana dhe raste të veçanta, por dyshimet konsistojnë në faktin se kanë përfituar të njëjtën njerëz, si dhe ka një intensitet të shfrytëzimit të hapësirave që lejon ligji, shkruan Shqiptarja.com.

Duke iu referuar të dhënave të Open Data, mbi procedurat tenderuese të ekspozuara ndaj riskut dhe që mund të tërheqin vëmendjen e Prokurorisë, katër nga 12 tenderat e kësaj natyre, të zhvilluara nga Bashkia e Kamëz, i ka fituar kompania Kupa, me administrator Shkëlqim Kupa.

Falë skualifikimit të të gjithë operatorëve të tjerë në garë, kompania Kupa ka fituar tenderin për “Blerje buldozer me zinxhir dhe me thikë para”, me vlerë 3 720 000 lekë.

Gjithashtu, me mungesë konkurrence, kjo kompani ka fituar edhe dy tendera të tjerë, atë për sistemin dhe gjelbërimin e Lumit të Tiranës nga ana e Bashkisë Kamëz, me vlerë 30,195,780 lekë si dhe tenderin për rrethimin e një pike grumbullimi në Valias, me vlerë 4 395 923 lekë.

Kjo kompani ka fituar me negocim i drejtpërdrejtë edhe tenderin për ndërtimin e rrugës Donald Tramp deri te Rruga Skënderbeu, me vlerë 13 643 770 lekë.

Kryebashkiaku i Kamëz i vendosi një rruge emrin e presidentit të SHBA ‘Donald Tramp’, ndërsa më parë e kishte shpallur Trump ‘Qytetar nderi të Kamzës’.

Në inaugurimin e kësaj rrugë mori pjesë edhe kreu i PD, Lulzim Basha. Për shkak se të gjitha procedurat e ndjekura konsistojnë tek mungesa e konkurrencës, ndryshimi midis fondit limit dhe ofertës fituese është modest.

Tre tendera të tjerë, të zhvilluar me negocim i drejtpërdrejtë apo duke skualifikuar të gjithë konkurrentët, i ka fituar kompania Klajger Konstruksion, me administrator Sadik Lumin.

Ky operator ekonomik ka fituar me negocim i drejtpërdrejtë tenderin për riparimin e palestrës ‘Elez Isufi’ në Bathore, me vlerë 5 400 000 lekë, shkruan Shqiptarja.com.

Klajger Konstruksion ka fituar edhe tenderin për ndërtimin e rrugëve Elez Isufi & Zanave, Burreli, Torino dhe Bicaj), me vlerë  32 106 038 lekë, ku janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit. Gjithashtu, kjo kompani ka fituar edhe tenderin për ‘Blerje pllaka varresh dhe bordura’, me vlerë 1 400 000 lekë, me mungesë konkurrence.

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziun, u arrestua në vitin 2013, me akuzën shpërdorimit të detyrës dhe vendosjes së taksave në kundërshtim me ligjin.

Prokuroria ngriti akuza edhe ndaj drejtorit juridik Atli Hoti dhe drejtorit të taksave Bujar Loshi. Akuza e parë kishte të bënte pikërisht me abuzimet me tenderat. Megjithatë, Gjykata e Apelit hodhi poshtë akuzat e Prokurorisë, duke shpallur të pafajshëm kryetarin e Bashkisë së Kamzës.

Ndërkaq, korrik të vitit 2017, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzoi penalisht kryetarin e Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu. Sipas IKMT-së, Mziu, ka bërë kundravajtje penale, pasi nuk ka zbatuar asnjë vendim për prishjen e 89 ndërtimeve pa leje që rezultojnë në bashkinë e tij.

2 komente në “Kryebashkiaku i Kamzës s’trembet nga drejtësia, Xhelal Mziu 12 tendera të dyshimtë që i fitojnë të njejtat kompani”

  1. Kaculi says:

    Njelloj si Fusha qe u shkoq duke marre gjithe tenderat e tiranes. Se ky i ka me buxhet te vogel po ato qe ben erjoni. Bej nje check mero dhe bej nje krahasim. Kjo do te thot bej gazetari investigative. Mziu eshte nje injorant ama qe kryeminiatri jot e vleresoi per permbytjet dhe menaxhimin e tyre. Ne krahasim me roshin e kavajes, atij kok sumces se korces etj ky mziu eshte lule.

  2. Drejtesia says:

    Po pra tamam si qeveria, gjith tenderat 5 kompanive oligarkesh,
    Fusha & co, kanalet e mutit, Fusha rruge, Fusha hec etj etj
    Fusha mori miliona euro te kodra prane currilave ne Durres dhe mbas tre muajsh gjith kodra u shemb
    Po paret ku shkun, po ai bashkiaku i durresit a eshte inteteresu??? Vetem prokuroria mund ta zgjidhi kete pune

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje