Pse është kaq tragjike tarifa e Rrugës së Kombit?!

6 Prill 2018, 10:19Sociale TEMA

Nga Albana MuçajBusinessMag.al

Disa foto vjeshte të shkrepura në Kukës vitet e fundit, janë krahasuar nga qytetarë e njerëz të televizionit me pamje si ato të Vjenës. Fotot u shpërndanë shumë në mediat sociale.

Por, me gjithë potencialin, kjo bukuri është e përkthyer në zero të ardhura në turizëm për zonën, e rrjedhimisht edhe buxhetin e shtetit.

Po t’u hidhni një sy artikujve ekonomikë të mediave ndër vite do të shikoni se si Kukësi kryeson në vend për nivelin e lartë të varfërisë. Varfëria është aq besnike, sa nuk e lë vendin të mbetet pa u përmendur çdo vit si i pari më i varfër në raportet e Institutit të Statistikave.

Dihet që zonat e thella malore, në çdo shtet vuajnë për aksesin në punë, apo dinamikën e ekonomisë. Por, (pa shkuar larg), vende të tilla si Italia, e kanë zgjidhur duke i njohur ato si rajone me status të veçantë, e lehtësitë u njihen në Kushtetutë.

Por, shifrat tregojnë, se vëmendja jo vetëm nuk ka qenë e veçantë për këtë zonë. Ka munguar tërësisht.

Të gjithë shqetësohemi, arkëtarët e buxhetit së pari, nëse niveli i Fierzës bie nga thatësirat, pasi duhen importuar qindra miliona euro energji (siç ndodhi vitin e kaluar me 120 milionë euro importe). Por pak kush mendon se mbi 30 mijë familjeve në ato zona u janë bërë kurban tokat pjellore, për të siguruar “elektrifikimin e vendit”. Lëvizja e parë ishte ndërtimi i një qyteti tërësisht të ri. Ndërkohë, me hapjen e ekonomisë nisi vala e imigrimit drejt periferive në Tiranë dhe Durrës.

Por, largimi i tyre nuk arriti të krijojë kushte më të mira për pjesën e mbetur. Vitet e fundit, mijëra banorë të kësaj zone u kthyen në azilantë ekonomikë në Gjermani.

Të dhënat zyrtare mbi ekonominë u japin të drejtë këtyre banorëve, ndonëse politikisht azilantët nuk njihen as në Gjermani e as në Shqipëri.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave, të ardhurat për frymë në rajonin e Kukësit janë nën mesataren e rajoneve, me 343 mijë lekë në vit (mesatarja e Shqipërisë është 482 mijë lekë). Gjithçka lidhet me mungesën e tokës pjellore në dispozicion, (pas përmbytjes së luginave të ujitshme nga Fierza).

Me 8 mijë hektarë, sipërfaqja e ujitur është sipërfaqja më e vogël e çdo rajoni tjetër në vend. Kontribut në varfëri kanë dhënë mungesa e sinkronizuar e investimeve private në zonë dhe investimeve publike. Asnjë emër për t’u përmendur investimesh në këtë drejtim, përjashtuar rilindjen e qendrës së Kukësit.

Rrjedhimisht, sipas të dhënave të INSTAT-it, rajoni siguron vlerën më të ulët të shtuar në çdo sektor të ekonomisë krahasuar me të gjitha rajonet e tjera. Kontributi në Prodhimin e Brendshëm Bruto, vlerësohet në 2.1% të totalit, më i ulëti ndër rajone.

Kjo mund të shpjegojë deri diku pse tarifa e Rrugës së Kombit është kaq e papranuar për familjet e kësaj zone.

Kushdo që ka shkuar në një shtet të huaj e di që në autostradat e rregulluara paguhet tarifë. Madje, për të pasur një rrugë të sigurt, të ndriçuar, e të mirëmbajtur aq sa të shmangë aksidentet, kushdo mund të jetë i gatshëm të kryejë një pagesë të pranueshme.

Një fjalë e jona popullore thotë “nuk nxirret dhjamë nga pleshti”. E këtë çdo qeveri duhet ta ketë parasysh, pasi nuk mund ta mbushë arkën e buxhetit nga një popullsi e varfër.

Për këtë arsye ekonomistët kanë sugjeruar vazhdimisht, se qeveria të rendë pas nxitjes së punësimit e jo rritjes së vazhdueshme të taksave e tarifave.

Nxitja e investimeve dhe vënia e ekonomisë në lëvizje në Kukës, Dibër, Librazhd, Korçë, etj. do ta bënte më të pranueshme pagesën e tarifës për mirëmbajtje rrugësh. Kujtojmë se edhe rruga e Dibrës, kur të bëhet…do të tarifohet gjithashtu, ashtu si edhe një listë e tërë rrugësh kombëtare, të miratuara tashmë për t’u bërë me pagesë.

Ministrat e Financave dhe të Energjisë, kanë theksuar ditët e fundit në tryezat apo komunikimet publike se investimet për rrugët kanë qenë të larta dhe rruga në këtë rast nuk është përfunduar. Ky është një lajm i hidhur për qytetarët. Pavarësisht të majta apo të djathta, qeveritë janë besuar për të bërë politika e investime efektive dhe nuk mund të hidhet topi sa andej-këtëj, duke i thënë qytetarit se: jemi të detyruar të aplikojmë tarifa të larta, ndonëse kemi shpenzuar shumë para e rrugën nuk e kemi mbaruar.

3 komente në “Pse është kaq tragjike tarifa e Rrugës së Kombit?!”

  1. Al - NAKBA says:

    Nje titull qesharak dhe me fjale bombastike por pa kuptim.


    Spo i referohem fare shkrimit , as qe e morra mundimin te lexoj nje hartim tjeter te Kazanit Mediatik shqiptar, kush harxhon kohe te lexoje Median Shqiptare duhet te vizitohet.

    Sa per tarifen ose me mire ket takse rruge, ajoeshte logjike por menyra se si u vu ne zbatim dhe shtrenjtesia e saj jane skandaloze. PIKE, ska nevoje per koment perse kjo ndodhi ne Albanistan.

  2. kasem gahinji says:

    nga mbiemri buket qe eshte nga kukesi.dikur kjo zone kish industri dhe bujqesi te zhvilluar ne kontekstin e kohes dhe teknikes.u mbyt kukesi nga liqeni per elektrifikimin e vendit,qe kukesit nuk i solli varferi e mjerim,ne ate kohe qe quhet diktature.i solli drite dhe zhvillim.deri ne fshatrat me te largeta,atjeku me pare ne vend te jastekut,kish familje qe vinin.copen e trungut.ajo diktatura e nxorri nga mjerimi.e di ti zonje si ka qene kuksi i vjeter?kukei i ri u ngrit nga e para .minierat,fabrikat e pasurimit,bujqesia dhe blektoria.u ndihmua nga e gjthe shqiperia.ka qene nje kenge-“qe nga jugu ne veri….tufa tufa bageti,i prin dashi me kembore”,etj…elektrifikimi parapriu gjithecka.me llogjiken tende solli mjerim.puna jote,qe ke kaq mend dhe interpreton statistikate sotme si tregues” i mjerimit “te djeshem .cdo kohe ka satistikat e veta.ato jane evidentim i arritjeve te asaj kohe.pra statitikat e kukesit sot tregojne nivelin e kohes se sotme.mjerimi ne kukes dhe ne shqiperi eshte produkt ,jo i liqenit te hidrocentralit qe zuri tokat,por i sistemit te”cekut te bardhe qe serviri pd.,produkt i mbylljes se minierave dhe grabitjes(pra nuk them privatiziit)i shkaterrimit te organizuar te gjitheckaje qe kukesi i gezonte.me llogjiken tuaj hajdete zbrazim liqenin,te mbyllim hidrocentralin dhe rehabilitojme luginen,se keshtu del dhe kukesi nga mjerimi.mjerimi dhe varferia ne kues eshte produt 27 vjecar i sistemit ku kemi hyre dhe i paaftesise se klases qe erdhi ne fuqi dhe qe sundon ne shqiperi,qe ka menduar dhe mendon per te grabitur dhe konsoliduar sundimin,me parimin perca e sundo,mashtro, genje dhe rrembe.shaj e hidh balte se cudia vetem 3 dite zgjat,populli ka memorje te shkurter.keshtu mendojne ata,keshtu endon dhe ti.ndersa une per ty mendoj se ti e nje shqierine,dhe kukesin,qe kur fillon jeta jote e ndergjegjeshme.

  3. xoni says:

    Nuk mjaftojne bukurite e natyres ne Kukes nuk mund te hashe nje dreke sepse eshte nivel i ulet gatimi e sherbimi dhe me kryesorja edukimi,sa kalon kufirin te bie ne sy mikpritja,pastertia,dhe menuja prandaj Kukesi eshte zero.Ne kohen e diktatures ka qene e kunderta kjo tregon qe eshte kuptuar mbrapsh demokracia prandaj kane ndodhur shume vandalizma.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje