Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ka folur pas fitores së marrë në transfertë kundër Kamzës.
Tekniku i verilindorëve u shpreh se kundërshtari e dominoi ndeshje, duke shtuar se nuk është aspak i kënqur me lojën e bërë nga ekipi i tij.
“Pa dy dyshim që Kamza ishte ekipi më i mirë në fushë, sepse e dominoi ndeshjen. Ne shënuam një gol që në fillim të ndeshjes dhe nuk jam aspak i kënaqur me mënyrën si shkoi loja më pas.
Për pikët jemi në rregull, kurse për lojën në ndeshjen e sotme do të thosha se nuk do të më pëlqente ta shikoja në vazhdim. Duhet të ndryshojmë në lojë.
Ajo që në mungon ka të bëjë me qetësinë në pasime. Më parë bënim një futboll më të bukur, sepse ishim më të qetë. Tani nuk është ai ekip që më pëlqen dhe do të përpiqemi të ndryshojmë. Sepse pikët i kemi, tani duhet të rregullojmë edhe lojën. Sot nuk i shfrytëzuam hapësirat që na u krijuan, sidomos në pjesën e parë.
Ethemi bëri një ndeshje të mirë, edhe pse nuk luajti në pozicionin e tij. Punoi shumë dhe vrapoi shumë”, tha Pakult.
Ndërsa, trajneri i Kamzës Ramadan Ndreu u shpreh:
“Futbolli është delikat. Morëm një gol në rastin e parë të Kukësit. Mund të them se ishte gol aksidental. Futbollistët bënë një ndeshje shumë të mirë dhe ndikon edhe aspketi psikologjik. Ne do vazhdojmë të besojmë dhe performanca e ekipit më ngroh. Është një periudhë delikate ku futbollistët duhet të jenë të qetë nga ana psikologjike. Kjo pasi po luajmë shumë mirë dhe nuk po marrim rezultate.
Sot shpresonim të kishim edhe pak fat dhe nuk e patëm. Pasi goditëm dy herë shtyllën. Jam pak i stepur në këto momente. Karakteri im nuk më lejon që në këtë moment delikat unë të braktis ekipin. Mendoj se nëqoftëse vazhdojmë me këtë lojë edhe fati do na rikthehet. Të kesh një skuadër të pretendosh duhet që të paktën futbollistët të kenë luajtur 2-3 vite me njëri-tjetrin.
Një skuadër e ndërtuar rishtazi dhe e brishtë dhe kjo ishte arsyeja pse unë nuk kaloja në eufori që në fillim kur thonin se isha për Europë. Nuk ankohem për mungesat, por Frashëri që ka munguar sot ka ndikuar sot pasi na ka dhënë shumë këtë sezon. Po ashtu edhe Kuqi që ka pjekurinë e tij dhe skuadra e ndjeu në disa momente këtë mungesë”, deklaroi Ndreu.