Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, ka folur pas fitores së arritur në tranfertë me rezultatin 0-3 kundër Laçit.
Tekniku i të kuqve është shprehur i kënaqur nga ecuria e skuadrës deri në këtë pikë dhe nga loja që ka zhvilluar duke pranuar se i ka ndihmuar edhe fati.
Në lidhje me transfertën e Kukësit, Dalipi tha se shkojnë për fitore pavarësisht fushës së vështirë.
“Ndeshja? Pata thënë edhe më para që kjo është fusha më e vështirë. Duke qenë të bindur për fitore nuk ramë në lojën e kundërshtarit dhe bëmë atë që kemi punuar gjithë javën dhe ashtu erdhi goli i parë. Na ka rrezikuar Laçi shumë por na ndihmoi dhe fati. Duke kërkuar, shënuam edhe golin e dytë dhe goli i tretë erdhi pasi u shthur mbrojtja vendase.
Është diçka e mirë që ka konkurrencë në skuadër dhe dikush nuk besonte se ka konkurrencë por duke e ndjekur kam kuptuar se suksesi i takon lojtarëve që në një kohë rekord kuptuan se çfarë duhet të bëjnë dhe kanë gjetur rrugën e fitoreve.
Vendi i dytë? Na pret një ndeshje e vështirë në Kukës pasi fusha ka dimensione më të vogla dhe bari sintetik nuk na lejon të bëjmë lojën tonë por kemi kohë ta përgatisim. Në Kukës shkojmë për rezultat pozitiv. Kemi 8 finale deri në fund. Duhet vlerësim dhe impenjim dhe s’duhet të kemi eufori pasi futbolli kërkon të jesh me këmbë në tokë. Shkojmë në Kukës për maksimumin.
Trajneri i ri? E rëndësishme është që po bëj një punë të mirë dhe Olsi Rama me presidentin ma dhanë me dashuri këtë post. Kam qenë lojtar dhe di si është kur fiton e kur humbet. Fjalët që dalin në gazeta nuk më interesojnë pasi deri në fund kam besimin e tyre dhe për sezonin tjetër do të shohim se çfarë do të bëjmë
Ne e dinim vështirësinë e ndeshjes dhe kjo është meritë e Laçit, skuadër agresive që të lë pak hapësira. Deshëm të vertikalizonim lojtarët e krahëve, që bënë veprime individuale. Nuk ishte edhe shumë efikase, por ishte edhe meritë e Laçit që ka lojtarë të fortë. Nuk mendoj se është mungesë impenjimi. Kërkova agresivitet në pjesën e parë, që në të dytën të ndryshonim, se kam pankinë me lojtarë të fortë. E patë që goli i dytë erdhi nga Abdurrahimi, një lojtar me cilësi të mëdha individuale. Besoj se e merituam këtë fitore në fushën e lojës”, u shpreh Dalipi.
Kurse trajneri i Laçit Gentian Mezani, deklaroi:
“Lodhja e ndeshjes në Kupë u ndje te skuadra, por nuk është ky justifikim. Kemi gabuar në krahun e djathtë në mbrojtje dhe kjo nuk duhej të ndodhte. Fangaj doli jashtë kohe dhe pasimi i Asanit ai që vulosi fatin e takimit.
Sigurisht, kjo lodhje u ndje sidomos në fazën sulmuese. Tashmë duhet të ngremë kokën dhe të vazhdojmë përpara, pasi nuk na lejohet një tjetër gabim. Kemi bërë një punë të mirë deri tani dhe nga ndeshja e ardhshme duhet të vazhdojmë të kërkojmë rezultatet pozitive.
Të gjitha skuadrat që luftojnë në Europë janë në të njëjtin nivel. Pas kësaj fitore nuk mund të thuhet se Partizani e ka vulosur vendin e tretë, pasi mund ta humbas në javën e ardhshme. Në këtë fazë të kampionatit është eksperienca ajo që bën diferencën. Futbollistët duhet t’i thërrasin mendjes dhe nuk duhet të tolerojnë absolutisht. Dhamë gjithçka ndaj Kukësit në Kupë dhe kjo na penalizoi paksa.
Ekipi i Laçit do t’i marri ndeshjet me radhë dhe tashmë do të luajmë kundër Luftëtarit. Kemi një javë kohë për të përgatitur këtë kundërshtar dhe më pas do të mendojmë edhe me Kukësin”, tha Mezani.