FOTOT: "Sezoni turistik, më shumë turistë se asnjëherë më parë"

13 Prill 2018, 17:17Lifestyle TEMA
FOTOT: "Sezoni turistik, më shumë turistë se

“Kjo verë do të ketë më shumë turistë se asnjëherë më parë, pasi të gjitha hotelet e dhomat e ofruara nga operatorët turistikë, nga Velipoja në Sarandë, janë të prenotuara”.

Kështu deklaroi të premten Kryeministri Edi Rama, në një takim me kryetarët e bashkive mbi përgatitjet për sezonin e ardhshëm turistik.

Kërkesa ndaj Shqipërisë, tha Kryeministri Rama, rritet ndjeshëm vit pas viti dhe ndërkohë që punojmë për nxitjen e investimeve të reja, duhet të rrisim me patjetër cilësinë në çdo aspekt. Për këtë qëllim, tha ai, kemi hartuar një plan që përfshin një sërë ministrish dhe institucionesh.

Kryeministri premtoi se “shteti do të jetë në krye të detyrës si asnjëherë më parë, për të garantuar një sezon turistik me më shumë pastërti, më shumë siguri, më shumë mundësi argëtimi”.

Në këtë drejtim, Rama tha se “është domosdoshmëri bashkëpunimi më i mirë se asnjëherë më parë me bashkitë”.

“Programi që nis përfshin të gjithë qeverinë, institucionet e tjera, pushtetin vendor, kryetarët e bashkive dhe prefektët në një sfidë reale për të siguruar që ky sezon turistik të ketë një cilësi të re, sa i përket rolit dhe ushtrimit të detyrave të të gjitha institucioneve dhe aktorëve shtetërorë”, tha Rama.

Sipas tij, “është një sfidë e jashtëzakonshme për Shqipërinë zhvillimi i turizmit në kushtet kur përballemi me një rritje të përvitshme të kërkesës dhe gjendemi me një ofertë që është shumë nën kërkesë, kur vjen fjala për infrastrukturën e mikpritjes”.

Kryeministri u ndal edhe te rritja e larmisë së grupeve turistike që vijnë nga shtete të ndryshme, ku theksoi se, “ende mbetemi larg gatishmërisë nga pikëpamja e numrit të hoteleve dhe e kategorive të ndryshme të shërbimeve hoteliere në raport me këtë kërkesë në rritje”.

“Ne po punojmë intensivisht për të nxitur më shumë investime të huaja dhe të brendshme në sektorin e turizmit në aspektin e pastërtisë, sigurisë dhe përmbushjes së programit të familjeve apo individëve që kalojnë pushimet në Shqipëri, me një gamë më të gjerë aktivitetesh se sa thjesht rutina e përditshme e plazhit. Ne duhet me patjetër,
duke filluar nga ky sezon, të bëjmë shumë më tepër”, tha Rama.

2 komente në “FOTOT: “Sezoni turistik, më shumë turistë se asnjëherë më parë””

  1. familjarisht I majte says:

    Zoti kryeminister,jam nga Vlora dashamires juaji.jetoj ne Kine dhe zoteroj 3 kompani eksportesh ne Kine dhe Hong Kong.pershendes nismen e qeverise shqiptare per heqjen e vizave per shtetasit kineze gjate muajve te veres dhe realisht ketu ka interesim te madh te pakten te rrethi i biznesneneve prane nesh.por te blesh nje toke ne bregdet eshte nje aventure titanike sepse ne cdo moment te del dikush me letra te tjera ose vendim gjykate qe ta merr.kjo vlen per ne qe jemi shqiptare,imagjino per te huaj.prandaj rregullo hipotekat dhe planet urbanisike ose mos bej reklame kot sikur po ndihmon investimet e huaja dhe te brendshme.investimet nuk do te mungojne ne vendin tone te bukur.por ju …..

  2. asd says:

    Modest Rama. Nuk e thote qe turistet po vijne per te. Gjoja sikur vijne per turizem, nderkohe jane mahnitur nga prijesi yne, ekonomisti dhe eruditi i pashoq, qe njeh TVSH-ne dhe koncensionet ne maje te gishtave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje