Vrasësi i heshtur i të rinjve: Toksikologët ngrenë alarmin për drogat e reja dhe evoluimin e tregut të tyre ilegal

13 Prill 2018, 19:23Shëndeti TEMA

Një epidemi e heshtur që sjell dëme të parikuperueshme dhe shkatërron shumë jetë njerëzish.

Drogat e reja, të identifikuara vitet e fundit nga toksikologët, janë një kampion i vogël i një tregu të madh që nuk njeh krizë, kjo sepse numri i përdoruesve rritet dhe laboratorët klandestinë gjejnë forma të reja për të prodhuar.

Droga porositet në rrjet (deep web*) dhe nuk ka nevojë për ndërmjetës, gjithçka është më pak e rrezikshme dhe më e lehtë.

Vitet e fundit, janë zbuluar të paktën 450 substanca të reja psikoaktive në Europë, ndërsa rastet kur përdoruesit kanë vdekur për shkak të tyre nuk janë pak.

Ky alarm është ngritur sot në Kongresin Kombëtar të Shoqatës Italiane të Toksikologjisë, që mbahet në Bolonja të Italisë.

Ekspertët kanë prezantuar në kongres të dhënat e fundit mbi llojet e substancave narkotike dhe tregun e tyre në rritje. Drogat e reja, në momentin e tregtimit dhe ndoshta edhe për disa kohë më pas, nuk janë të identifikueshme.

Kjo sepse mjaftojnë disa modifikime të vogla kimike dhe substanca bëhet e padallueshme nga testet tradicionale.

Efektet e këtyre drogave janë shkatërruese. Ato që deri vitet e fundit konsideroheshin si droga të lehta, si p.sh. marijuana, sot kanë variantet e tyre sintetike, bioteknologjike, hibride apo të përziera me substanca të tjera.

Këto droga të reja janë shumë të fuqishme dhe të dëmshme për trurin dhe organet e tjera vitale.

Dëmet më të mëdha u shkaktohen adoleshentëve.

Zona e trurit të një adoleshenti, që stimulon  ndjesitë e kënaqësisë, është e strukturuar, ndërsa korteksi që kryen funksionin e filtrimit dhe kufizimit të këtyre impulseve, arrin pjekurinë vetëm pas moshës 20-vjeçare.

* Deep web – pjesë e World Wide Web, që nuk mund të zbulohet me anë të motorëve standardë të kërkimit, përfshirë faqet e mbrojtura me fjalëkalim dhe rrjetet e koduara.

Përgatiti: Gazmira Sokoli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje