Ekipi i Laçit ka kaluar në finalen e Kupës së Shqipërisë, teksa pas barazimit me rezultatin 1-1 në transfertën e Kukësit, ka kaluar në fazën finale falë barazimit pa gola në ndeshjen e parë.
Mezani është shprehur se nuk ka dyshuar asnjëherë të futbollistët e tij, pavarësisht rezultateve negative të marra në kohët e fundit, duke i paraprirë këtij suksesi.
“Ne besonim nga minuta e parë për takimin ndaj Kukësit dhe nuk e kam në vendosur në dyshim forcën e grupit. Pavarësisht rezultateve negative të marra në takimet e fundit, skuadra e ka karakterin dhe këtë e tregoi në ndeshjen e sotme.
Në këtë moment dua t’i gëzohem finales dhe nuk dua të komentoj tensionet e këtij takimi. Interpretimi i lojës në pjesën tjetër, përveç atij gabimi në golin e parë ishte perfekt dhe kjo më kënaqi shumë.
Unë mendoj se objektivat e klubit dhe presidentit ishin më tepër te Kupa, megjithatë edhe në kampionat ne zhvillojmë lojën tonë dhë kërkojmë rezultate. Ajo që dua të theksoj, është se më tepër se objektivi i presidentit, Kupa është objektiv i imi pasi nuk kam një karrierë të gjatë dhe të jem lodhur duke fituar tituj të ndryshëm.
Jam trajneri i Laçit dhe nuk mendoj për asgjë tjetër. Ky është viti i parë që kaloi 4 muaj në skuadër dhë më bën mirë të vazhdoj me Laçin. Mendime të tjera mund të dëmtonin shumë për karrierën time. Ne vazhdojmë të gabojmë në mbrojtje dhe jemi munduar të përmirësohemi në mbrojtje. E nisëm me 4-3-2-1 dhe në pozicion Lulaj ishte i favorizuar ndaj Lushkjes, por duke parë që nuk po hynte dot në lojë dhe po gabonte shumë në pasime, atëherë mendova se Lushkja do të ishte zgjidhja më e mirë”, është shprehur Mezani.
Kurse trajneri i Kukësit Peter Pakult, deklaroi:
“Ishte një situatë jo e mirë pasi dihet që të gjithë donim të shkonim në finale. U mërzita se si shkoi loja në fund dhe u mërzita me fytyrat e futbollistëve që pashë në fund të ndeshjes. E kishim përgatitur ndeshjen shumë por ky është futbolli. E dinim që rezultati i parë e linte lojën të ishte i hapur. Kaluam në avantazh me meritë por në pjesën e dytë pësuam golin e barazimit dhe u eliminuam.
Fitoret me shumë fat? Për sa i përket fatit jam kundër pasi kemi bërë ndeshje të mira dhe nuk kemi pasur shumë nevojë për fat. Nga vendi ku kemi qenë në fillim dhe ku jemi tani në tabelë them se nuk na ka çuar fati.
Euforia pas Partizanit? Nuk ka pasur të bëjë me ndeshjen e fundit. Atë ndeshje bëmë shumë mirë për meritën tonë dhe jo për fatin. Në pjesën e dytë nuk luajtëm shumë mirë dhe Laçi nga minuta në minutë kishte më shumë siguri dhe atë e tregon goli që pësuam.
Bëmë shumë gabime në pasime dhe lojtarët nuk kishin shumë vetëbesim. Laçi e mori kontrollin e lojës në pjesën e dytë dhe dominoi. E dinim që Laçi do na rrezikonte më shumë në pjesën e dytë, pasi me golin e pësuar nuk kishte çfarë humbiste dhe ia doli të kualifikohej”, u shpreh Pakult.