Menaxheri Shkumbin Qormemeti përfaqëson disa nga mesfushorët ofensive më të mirë që ka prodhuar futbolli shqiptar në vitet e fundit.
Por sipas tij, nuk ka dyshime që Kristal Abazaj është një talent i rrallë, mesfushori i krahut më i mirë që ai ka në menaxhim, e nuk ngurron që ta cilësojë më të mirin në Ballkan.
Pas firmës te Anderlehti, mediat belge kërkonin të dinin më shumë për futbollistin shqiptar, firma e të cilit me klubin e njohur kishte qenë një surprizë për shumëkënd.
Vetë menaxheri, u ka bërë të qartë të gjithëve se shumë shpejt do të shihnin cilësitë e vërteta të futbollistit shqiptar i cili ka lënë shenjë me Luftëtarin dhe me përfaqësuesen e U21, ndërsa pritet që në të ardhmen të bëhet protagonist edhe në Kombëtaren A.
“Surprizë? Ai është mesfushori i krahut më i mirë në Ballkan”, ishin fjalët e Qormemetit për “Nieuwsblad”. Një vlerësim i tillë nga menaxheri bën të qartë se sa besim ka ai te ky lojtar, pasi nuk duhet harruar se Qormemeti menaxhon njëkohësisht edhe shumë mesfushorë krahu të tjerë të njohur si Roshi, Berisha, Gavazaj, Latifi, Seferi e Sahiti, të gjithë pjesëtarë të ekipeve kombëtare në Shqipëri apo Kosovë.