Dosja e tokave në Karaburun, Prokuroria ankimon të gjitha vendimet e Gjykatës së Vlorës

20 Prill 2018, 20:22Kronika TEMA

Prokuroria e Vlorës ka ankimuar të gjitha vendimet e gjykatës së këtij rrethi, ndaj 5 personave të akuzuar për një nga dosjet më të përfolura të abuzimit me tokat, atë të tjetërsimit të qindra hektarëve truall në zonat e Karaburunit, Palasës dhe Zvërnecit.

Me mbi 70 faqe ankim në Gjykatën e Apelit, Prokuroria e Vlorës e cilëson vendimin e Shkallës së Parë si një vendim në kundërshtim me një sërë ligjesh dhe të pabazuar në rrethanat dhe provat që i janë paraqitur gjykatës.

Në mënyrë të veçantë kundërshtohet pafajësia që Gjykata e Vlorës i dha avokatit Enkes Hysendhima, të cilin organi i akuzës e cilëson si person kryesor në të gjitha skemat e tjetërsimit të pronësisë të mbi 340 hektarëve truall pranë bregdetit në Karaburun, Palasë dhe Zvërnec.

Për përfitimin e këtyre sipërfaqeve janë falsifikuar tre vendime gjyqësore të Gjykatës e Vlorës, falsifikime të cilat janë vërtetuar edhe nga dëshmitë e gjyqtarëve që u ishte shënuar emri në vendime.

Madje, një prej vendimeve gjyqësore mbante emrin e gjyqarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, që u ekzekutua me eksploziv në automjetin e tij.

Një tjetër provë e pakontestueshme sipas prokurorisë është edhe fakti që përfituesi kryesore i tokave, punonjësi i varrezave të Vlorës Raimond Mezi, ka deklaruar se ai nuk ishte në dijeni të asnjë procedure dhe se me kërkesë të avokatit Enkes Hysendhima kishte firmosur në disa letra të bardha.

Mezi ka deklaruar gjithashtu se kishte marrë nga avokati Hysendhima edhe një shumë prej katër milionë lekësh, të dhëna në disa këste, si të ardhura nga shitja e disa pronave.

Por, pavarësisht këtyre fakteve, Gjykata e Vlorës nuk u bind te implikimi i avokatit Hysendhima në këtë skemë falsifikimi, duke e shpallur të pafajshëm.

Sipas Prokurorisë, në skemën e falsifikimit të dokumenteve, përveç avokatit, Hysendhima janë të përfshirë edhe ish-arkivistja e Gjykatës, Donika Besimaj, e cila ka futur këto vendime në arkivën e gjykatës dhe ish-punonjësja e ZVRPP të Vlorës Blerina Dhrami, e cila ka regjistruar pronat me dokumente të falsifikuara.

Edhe pse të dyja punonjësja janë dënuar respektivisht me 2 vjet me kusht dhe katër vjet burgim, prokuroria pretendon se masat e dënimit janë të ulta në krahasim me veprën penale dhe pasojat që kanë shkaktuar.

Tanimë pritet që këto pretendime të organit të akuzës t’i vlerësojë Gjykata e Apelit të Vlorës.(TCH)

1 komente në “Dosja e tokave në Karaburun, Prokuroria ankimon të gjitha vendimet e Gjykatës së Vlorës”

  1. Albi says:

    Skeme mafioze natyrisht dhe mafiozet paguajn .Nuk ka si spiegohet qe kane denuar nje idiot dhe kane pushuar akuzen per noterin dhe pafajesi per avokatin .Prokuroia nuk ka bere hetime te thelluara dhe si Pilati kerkon te laje duart .Gjykatesit mafiozet me veladon dhe cekic japin keto vendime qesharake Ministria e Drejtesise nuk degjon dhe nuk shikon Ka dy notere ne kete skeme mashtrimi qe kane vene vulen dhe kane legjitimuar vjedhjen dhemashtrimin Noterja Belona Seraj qe dolo pa lagur dhe noterja Mirjam Isufaj qe eshte denuar me burg nga keto gjykata dhe aq te madh e ka zullumin sa nuk kane ci bejn .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje