Tirana është ngjitur matematikisht në Superiore gjatë javës së fundit, duke siguruar kryesimin në grupin B të Kategorisë së Parë.
Por klubi i bardhebluve nuk mund të mjaftohet vetëm me këtë ngjitje dhe zërat për largimin e Ze Marias kanë qenë të shumta.
Madje, nisën të përmendeshin edhe alternativat e mundshme që do të zëvendësonin teknikun brazilian. Mes këtyre kandidatëve ishte edhe ish-kapiteni i Skënderbeut, aktualisht trajneri i Lirisë në Kosovë, Bledi Shkëmbi.
Në një intervistë për “Insporti.com”, Shkëmbi ka mohuar zërat për këtë transferim: “Nuk ka asgjë të vërtetë, madje nuk e di as nga kanë dalë këto fjalë. Unë i kam hyrë kësaj pune dhe nuk e di se çfarë mund të sjell e ardhmja. Do t’i shqyrtoj ofertat nga secila skuadër, e të mos flasim për Tiranën në këtë mënyrë pasi është klub i madh. Nuk kam biseduar ende me zyrtarët e Lirisë dhe me asnjë skuadër tjetër, sepse është ende shumë herët”, ka thënë Shkëmbi.