"Digat vdekjeprurëse", The Telegraph në Vjosë: Betejat mjedisore për të shpëtuar "zemrën blu" të Evropës

24 Prill 2018, 11:03Turizëm TEMA

“Ekziston vetëm një lumë me rrjedhje të lirë në Evropë, i paprekur nga ndërtimet apo ndikimi njerëzor. Vjosa fillon të burojë në malet Pindit në Greqi ku kalon në Shqipëri duke gjarpëruar nëpër male Ballkanike për plot 169 milje para se të derdhet në Adriatik”

Kështu e nis rrëfimin e tij gazetari i njohur i britanikes “The Telegraph” Hugh Morris për të ashtëquajturën “Mrekullia e fundit blu e Evropës”.

Në rubrikën “Travel”, ai ka zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e radhës ku konkretisht është ndalur përgjatë brigjeve që përshkron lumi “Vjosa”.

Shqipëria, ashtu si shumë vende të Ballkanit, po përjeton këtë perjudhë një bum të madh vizitorësh. Ata janë të tërhequr më së shumti për të parë bukuritë e maleve, luginave, pyjeve, lumenjve dhe liqeneve të saj. Që nga viti 2000, arritjet e turizmit në ish-republikën socialiste janë shumëzuar me rreth 13 herë. Shumë e konsiderojnë këtë vend si “sekretin” e fundit të Mesdheut”, nëvizon gazetari i njohur në rrugëpërshkrimin e tij.

Veç përshkrimit të bukurive që e karakterizojnë këtë zonë, Morris i kushton vëmendje të veçantë edhe ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël të cilët sipas tij do shkaktojnë dëme të pariparueshme në biodiversitet.

Brenda kufijve të parqeve kombëtare janë planifikuar rreth 36 HEC-e. Në të gjithë rajonin e Ballkanit në tërësi, nga Sllovenia deri në jug të Greqisë, tashmë ekzistojnë 1,003 hidrocentrale të ngritura, ndërsa 188 janë duke u ndërtuar dhe 2,798 janë propozuar për t’u bërë në rrjedhën e lumenjve.

Aktivistët e mjedisit paralajmërojnë skema që pritet të shkaktojnë dëme të pariparueshme për lumenjtë, kafshët e egra dhe komunitetet lokale, si dhe të dëmtojnë biznesin e turizmit që po lulëzon”, shkruan gazetari britanik.

Ndërkohë, ai sjell edhe zërin e drejtorit të iniciativave mjedisore Mihela Hladin Wolfe i cili po ndihmon në nismat e ndërmarra kundër ngritjes së digave.

“Ata e fusin lumin në tub, e kanalizojnë atë në një rrjedhë për t’i dhënë fuqi dhe për kilometra e thajnë plotësisht lumin. Natyra po zhduket ngadalë për shkak të vendimeve që po merren “, shpjegon ai.

“Ka diçka që po ndodh dhe jo shumë njerëz e dinë “, shton Wolfe, “Në Ballkan, biodiversiteti është i madh dhe këto hidrocentrale do ta largojnë lumin nga njerëzit që kanë jetuar përgjatë tij për shekuj me radhë. “

Gazetari Hugh Morris bën edhe një paralelizëm me praktikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket ndërtimit të HEC-eve në rrjedhat e lumenjve.

“Në SHBA, shpjegimi në lidhje me digat ka ndryshuar aq shumë saqë fushatat për të rrëzuar “digat vdekjeprurëse” kanë marrë një vrull të rëndësishëm.

Në Amerikë vetëm tre për qind e 80.000 digave të vendit prodhojnë energji elektrike pasi pjesa tjetër ndikon negativisht në cilësinë e ujit dhe shkatërron habitatet e peshqve apo kafshëve të egra”, tregon gazetari.(TemA)

Shkrimi i plotë: https://www.telegraph.co.uk/travel/destinations/europe/albania/articles/save-the-blue-heart-vjosa-last-free-flowing-river/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje