Klubi i Partizanit ka reaguar pas lajmeve që kanë qarkulluar në media për një largim të trajnerit Klevis Dalipi dhe të disa lojtarëve.
Përmes një deklarate për shtyp klubi i kuq thekson se tekniku aktual gëzon mbështetjen e plotë të klubit, duke theksuar se lajmet e përhapura kanë si synim destabilizimin për të prishur harmominë e ekipit.
Deklarata e plotë e klubit të Partizanit.
Duke marrë shkas nga lajmet e publikuara së fundmi në mediat sportive në lidhje me të ardhmen e lojtarëve tanë dhe trainerit të ekipit Klevis Dalipi, klubi nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp dëshiron të distancohet nga pavërtetësia e tyre duke specifikuar se traineri Dalipi do të vazhdojë të jetë në drejtimin e skuadrës.
Ai gëzon mbështetjen e plotë të drejtuesve të klubit, sikurse dhe lojtarët, kontratat e të cilëve janë vënë në diskutim në shkrimet në fjalë, janë tërësisht të përqendruar për të arritur objektivat e klubit dhe deri tani kanë shprehur dëshirën të vazhdojnë të përfaqësojnë ngjyrat e Partizanit.
Për më tepër vendimin për trainerin drejtuesit e klubit e kanë konfirmuar në vazhdimësi dhe e ka rikonfirmuar pak ditë më parë edhe vetë Presidenti Demi, përgjatë një prononcimi dhënë për emisionin “Zona Gol”.
Kreu i 15-të herë kampioneve të vendit i ka dhënë mbështje të plotë trainerit Dalipi, madje duke i konsideruar “barcaleta” dhe aspak të vërteta informacionet që mediat e shkruara servirin për opinionin sportiv. Insinuatat e pavërteta për probleme brenda klubit, si dhe aludimet për emra trainerësh , pikërisht në prag të ballafaqimeve të rëndësishme në këtë fazë kyçe të kampionatit, konsiderohen tendencioze me qëllim për të destabilizuar harmoninë në skuadër dhe punën e trainerit Dalipi.
I tërheqim vëmëndje mediave të jenë më korrekte në informacionet që përcjellin dhe ju rikujtojmë se në çdo rast mund të kontaktojnë me zyrën për shtyp të klubit e cila mbetet gjithmonë në shërbim të tyre.