Shoqata e Arbitrave Shqiptarë përmes një reagimi për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të FSHF-së ka dënuar veprimin e deputetit Erjon Braçe në shkallët e stadiumit.
Sipas kësaj Shoqate, Braçe pretendohet se ka goditur nga tribuna me një objekt arbitrin kryesor të takimit, në momentin e hyrjes për në dhomat e zhveshjes.
Ata kanë kërkuar vetëkontroll dhe gjakftohtësi.
Ndërkohë, nuk ka asnjë masë displinore ndaj vendimeve të arbitrit të cilat siç mund të shihet nga pamjet filmike janë mjaft të dyshimta duke lënë të kuptohet se vijon ende të gjykojë me dy standarde.
Deklarata e plotë e Shoqatës së Arbitrave.
Shoqata e Arbitrave Shqiptarë reagon për veprimin antisportiv dhe aspak fair nga ana e Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Braçe i cili në përfundim të ndeshjes Partizani-Skënderbeu e vlefshme për javën e 30-të të Kategorisë Superiore ka goditur nga tribuna me një objekt arbitrin kryesor të takimit, në momentin e hyrjes për në dhomat e zhveshjes.
Shoqata e Arbitrave dënon një veprim të tillë nga ana e përfaqësuesit të ligjit, në drejtim të arbitrave, dhe njëherësh bën apel për më shumë gjakftohtësi dhe vetëkontroll, jo vetëm në këtë periudhë të mbetur ndeshjesh, por edhe në vijimësi.
Ngjarja e fundit ishte e shëmtuar, aq më shumë kur të tilla veprime vijnë nga tribuna VIP. Të tilla situata nuk I përkasin aspak futbollit, dhe për më tepër marrin një simbolikë antisportive kur ideohen dhe kryhen nga një përfaqësues i ligjit. (TemA)