Java e 31-të e Superiores ka në kalendar disa sfida shumë të nxehta për zonën europiane dhe mbijetesën. Në Gjirokastër, ku përplasen Luftëtari vendës me Flamurtarin, luhet për Europën. Shanset i kanë më të mëdha gjirokastritët, por kuptohet që Flamurtari nuk ka çfarë humb më dhe do të japë gjithçka, minimalisht për të ruajtur diferencën e pikëve me Luftëtarin.
Vllaznia, në emergjencë pikësh, do të shkarkojë të gjitha “bateritë” ndaj Laçit në “Loro Boriçi”, por nuk do ta ketë të lehtë përballë kurbinasve, që janë në luftë për Europën edhe nga kampionati, duke qenë se kupën nuk e kanë të sigurt.
Këto dy ndeshje mund të jenë në favor të Partizanit, që luan në Lushnjë dhe ka një ndeshje të fituar në letër, pavarësisht respektit për skuadrën myzeqare. Të kuqve u intereson ndalesa e gjirokasritëve dhe laçianëve, për të pasur më shumë shanse për vendin e tretë në fund të kampionatit. Kjo javë ka shumë mundësi të flasë për ta.
Ndeshja tjetër e javës, edhe pse luajnë dy skuadrat kryesuese, parashikohet të jetë më e qetë në aspektin e rezultatit. Më shumë është një ndeshje kunji. Korçarët duan të fitojnë matematikisht titullin përballë Kukësit, pasi kështu do t’u shijonte më shumë.
Ndeshjet e javës së 31-të të Superiores do të luhen në dy ditë, të shtunën dhe të dielën.