Luftë në horizont? Bota po armatoset: Në 2017-n u shpenzuan 1.73 trilion dollarë për armë

2 Maj 2018, 17:14Bota TEMA

Shpenzimet ushtarake në mbarë globin mbërritën nivelin e tyre më të lartë në vitin 2017, që prej Luftës së Ftohtë.

Raporti i fundit i Institutit ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen, në Stockholm, tregon se nepër botë, 1.73 trilionë dollarë u investuan për qëllime ushtarake gjatë vitit të kaluar, gjë që shënon rritje krahasuar me vitin 2016.

Fenomeni është më i ndjeshëm në Lindjen e Mesme. Shtatë prej 10 vendeve me nivelin më të lartë të shpenzimeve për armatime, krahasuar me produktin e tyre të brendshëm bruto, janë pikërisht nga ky rajon.

Ato përfshijnë Omanin, Arabinë Saudite, Izraelin, Kuvajtin e Libanin. Ekspertët e “SIPRI”-t arsyetojnë se, vende si Katari, Arabia Saudite apo Emiratet e Bashkuara Arabe janë të përgatitura të investojnë shuma të mëdha parash në buxhetet e tyre ushtarake, e kjo konsiderohet një shenjë e qarte e mënyrës sesi e shohin këto shtete pozicionin e tyre në rajon.

Në rastin e Rijadit, shifrat e larta dëshmojnë gjithashtu edhe shqetësimin me të cilin ai e sheh rivalin e vet të madh, Iranin. Luftrat në Siri e Jemen, nga ana tjetër, janë tregues se këto vende jo vetëm po i shtojnë shpenzimet e tyre ushtarake, por janë gjithashtu duke u përgatitur t’i përdorin këto armë për arritjen e qëllimeve të tyre.

Republika Islamike, ndërkohë, investon relativisht pak për ushtrinë, e kjo jo se i mungon dëshira për të hedhur më shumë parà në këtë drejtim, por sepse situata ekonomike nuk ia lejon për momentin.(TCH)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje