Balla: Ftoj të gjithë ata që kanë problematika të strehimit të bëhen pjesë e dëgjesave publike të llogaridhënies publike të qeverisë

3 Maj 2018, 18:04Politika TEMA

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij në Kuvend, ku u diskutua për projektligjin për strehimin social, deklaroi se me këtë projektligj hapim një fazë të re të trajtimit social të gjithë familjeve të pastreha.

Sipas Ballës, gjatë viteve 2014-2017 ndryshoi tërësisht qasja e qeverisë përkundrejt familjeve të pastreha. “Janë 35 miliardë lekë të dhëna nga qeveria jonë për sa i përket trajtimit të familjeve të pastreha, por kemi dhe 550 mln lekë të dhëna investime në përmirësimin e kushteve të banimit për komunitetet rome dhe egjiptiane”, tha Balla.

Gjithastu, Balla gjatë fjalës së tij përgënjeshtroi edhe deputetin e LSI-së, Luan Rama lidhur me Komitetin Kombëtarë Kundër Luftës së Substancave Narkotike, duke theksuar se ky komitet prej 2013 mblidhet në mënyrë periodike dhe miraton strategjitë e qeverisë në luftën pa kompromis kundër çdo lloj forme trafikimi.

Fjala e plotë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla:

Së pari një përgënjeshtrim për kolegun Luan Rama, që ka të bëjë me Komitetin Kombëtarë Kundër Luftës së Substancave Narkotike, ky komitet prej 2013 mblidhet në mënyrë periodike dhe miraton strategjitë e qeverisë sonë në luftën pa kompromis kundër çdo lloj forme trafikimi, në rastin në fjalë të substancave narkotike.

Së dyti Grupi Parlamentar i PS sot mbështet fuqimisht një projektligj, i cili në historinë e këtij Kuvendi, por edhe në historinë e qeverisjes së majtë të këtij vendi, është një prej faqeve më sociale tona.

Jam shumë krenar që tju them sot të gjitha familjeve, të cilat prej vitesh kanë një hall të pazgjedhur, e që ka të bëjë me një prej çështjeve më të rëndësishme atë të strehimit, të gjitha komuniteteve të varfra e të pa favorizuara të shoqërisë, me këtë projektligj hapim një fazë të re të trajtimit socila të gjithë familjeve të pastreha.

Fakti që këtë ligj e prezantoi ministri i Financave dhe Ekonomisë, kjo është një garanci shtesë për mbështetjen financiare të programeve sociale të strehimit si dhe dëshmon rëndësinë që i ka kushtuar qeveria këtij sektori, i cili nuk ka vetëm impakt social, por duhet ta themi, ka dhe impakt ekonomik.

Pas këtij projektligji, unë në emër të Grupit Parlamentar do ta nxisja qeverinë që të vinim me një paketë tjetër mbështetëse për strehimin, që ka të bëjë më të gjitha familjet e reja, të gjitha çiftet e reja, që sapo martohen, sikurse në vende të tjera të ngjashme me Shqipërinë, qeveria duhet t’i mbështesë me një paketë subvencioni për apartamente, për të ndërtuar dhe ata familjen e tyre në një strehë, në një banesë, ashtu sikurse është një model social në disa vende.

Gjatë viteve 2014-2017 ndryshoi tërësisht qasja e qeverisë përkundrejt familjeve të pastreha. Janë 35 miliardë lekë të dhëna nga qeveria jonë, për sa i përket trajtimit të familjeve të pastreha, por kemi dhe 550 milionë lekë të dhëna investime në përmirësimin e kushtevetë banimit përkomunitetet rome dhe egjiptiane.

Asnjëherë më parë deri në 2014 nuk ishin dhënë kaq shumë fonde, dhe gjej rastin ta falenderoj Eglantina Gjermenin për punën e shkëlqyer në sektorin e Entit Kombëtarë të Banesave dhe drejtuesit e Entit Kombëtarë të Banesave, që më në fund e vunë këtë institucion në punë.

Grupi ynë Parlamentar bashkë me qeverinë do të organizojnë edhe në kuadër të llogaridhënie publike në çdo cep të territorit dëgjesa me banorët.

Do ti ftoja banorët, që kanë problematika të strehimit të bëhen pjesë e këtyre dëgjesave publike të llogaridhënies publike të qeverisë, për të sqaruar të gjitha çështjet dhe të gjitha risitë e reja që sjell ligji për strehimin social.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje