Finalja e Europa Leagues, kompeticionit të dytë më të rëndësishëm europian për klube, nuk prodhoi surpriza, pasi ishte pikërisht Atletico Madrid që arriti të triumfojë.
Në finalen e Lyonit, spanjollët mposhtën Marsejën me rezultatin e pastër 3-0, duke mos diskutuar për asnjë moment fitoren e ndeshjes.
Ndërkohë që Franca vijon të ruajë marrëdhënie ‘të ngrira’ me Europa Leaguen, pasi asnjë klub i këtij shteti nuk e ka fituar këtë kompeticion, në finalen e sotme ishte protagonist pikërisht një francez.
Antoinne Griezmann shënoi dy golat e parë për madrilenët, nga një në çdo pjesë loje, ndërsa rezultatin e vulosi Gabi në minutën e 89’.
Por kjo humbje në finale të Uefa Europa League, duket se nuk i ka pëlqyer aspak tifozëve francezë të Marsejës.
Rezultati 3-0 bëri që tifozët e Marsejës të bëheshin të dhunshëm, duke shkatërruar dyqane e duke i vënë zjarrin koshave të plehrave.
Sapo arbitri i ra bilbilit, marsejezët u hodhën në rrugë për të shkaktuar rrëmujë. Menjëherë reagoi policia duke arrestuar disa prej tyre. (TemA)