BE e ka vënë veten në një kurs përplasjeje me SHBA-në mbi vendimin e Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin , pasi firmat kryesore evropiane filluan të tërhiqen nga vendi për të mos u goditur nga sanksionet.
Në një përpjekje për të mbrojtur kompanitë e BE që bëjnë biznes me Iranin, presidenti i komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se do të rikthehej një plan i përdorur më parë për të mbrojtur bizneset që punonin në Kubë përpara se embargoja tregtare amerikane të hiqej në vendin e Amerikës Latine.
“Ne do të fillojmë procesin e bllokimit të statutit, i cili synon të neutralizojë efektet ekstraterritoriale të sanksioneve të SHBA në BE. Ne duhet ta bëjmë atë dhe do ta bëjmë nesër (të premten) në mëngjes”, tha ai në fund të Samitit në kryeqytetin bullgar, Sofje.
BE po kërkon të mbajë marrëveshjen e vitit 2015 me Iranin duke mbrojtur përfitimet ekonomike që Teherani ka fituar në këmbim për heqjen dorë nga programi i tij bërthamor.
“Statusi i bllokimit” është një rregullore e vitit 1996 që ndalon kompanitë dhe gjykatat e BE-së që të zbatojnë ligjet e sanksioneve të huaja dhe përcakton që asnjë gjykim i jashtëm i gjykatave bazuar në këto ligje nuk ka efekt në BE.
Banka Europiane e Investimeve gjithashtu do të sigurojë një burim financimi për bizneset që punojnë në Iran.
Juncker tha se: “Efektet e sanksioneve amerikane do të ndihen. Prandaj, është detyrë e BE-së të mbrojë biznesin evropian dhe kjo vlen veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme”.
Ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, shtoi në një takim të udhëheqësve të BE: “Ne u pajtuam unanimisht se BE do të qëndrojë në marrëveshje për sa kohë që Irani mbetet plotësisht i angazhuar për të. Përveç kësaj, komisionit iu dha një dritë jeshile për të qenë gati për të vepruar sa herë që preken interesat evropiane”.(TemA TV)