Pas një aventure në kampionatin holandez me Vitese, Milot Rashica u transferua në Gjermani ku firmosi me skuadrën e Verder Bremenit. Gjatë ditës së sotme, Rashica ka vendosur që të ndjekë nga afër finalen e kampionatit mes Prishtinës dhe Dritës, ku ka folur edhe për ndeshjen Shqipëri-Kosovë që do të luhet pas disa ditësh.
“Kur kam firmosur te Vitese kam qëndruar edhe 3 muaj në Kosovë dhe kam luajtur kundër Beses së Pejës ku kam fituar 3-2. Kampionati gjerman ka përfunduar dhe jemi disa ditë pushim para se të luajmë me Shqipërinë dhe më pas kemi sërish pushime para se të rikthehem te Verderi.
Ndeshja ndaj Shqipërisë? Besoj se do të jetë ndeshje me një atmosferë të mirë pasi shumë shqiptarë jetojnë atje dhe besoj se stadiumi do të jetë kuqezi dhe me ngjyrat tona të kaltra.
Prishtina-Drita? Sot kam ardhur si tifoz neutral pasi kjo është diçka e veçantë sepse s’ka ndodhur që kampionati të vendoset në fund dhe shpresoj të fitojë ai që e meriton.
Gjermania? Diferenca me Holandën është shumë e madhe dhe në muajt e fundit kam pasur shumë minutash dhe kam filluar të ambientohem. Sezoni tjetër besoj se do të jetë më i mirë.
Gjithkush ka dëshirë të luajë në një ndeshje si kjo por unë jam në Bundesligë dhe shpresoj që sot të jetë një ndeshje e mirë pa dëmtime dhe të fitojë skuadra që e meriton. Për mua është kënaqësi që jam sot këtu pasi është ndeshje e veçantë e thash edhe më lart”, u shpreh Rashica.