Departamenti amerikan i Drejtësisë do të hetojë nëse agjentë të FBI-së e kanë spiunuar Donald Trump-in gjatë fushatës presidenciale, për “qëllime të dëmshme”.
Në një postim në Tuiter, Trump tha se qëllimi është të mësohet nëse administrata paraardhëse e ka kërkuar një gjë të tillë.
Kjo lëvizje vjen pas raportimeve në disa media amerikane, sipas të cilave FBI-ja ka pasur si informator një person që ka dhënë kontribut në fushatën e Trump-it.
“Nëse dikush është infiltruar apo ka vëzhguar pjesëmarrësit në garën presidenciale për qëllime të papërshtatshme, ne duhet ta marrim vesh dhe të marrim masat e duhura”, tha prokurori i përgjithshëm Rod Rosenstein.
Në lidhje me fushatën e Trumpit ka nisur një hetim për të zbuluar nëse Rusia është përpjekur të influencojë rezultatin.
Lëvizja e fundit e presidentit Trump vjen pas një seri postimesh në “Tuiter” të dielën, me anë të të cilave denoncoi atë që e quan “gjueti shtrigash” dhe që sipas tij nuk ka gjetur asnjë pikë të përbashkët mes fushatës së tij dhe Rusisë.
Fjala është për hetimin e drejtuar nga Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të vitit 2016. Trump e ka kritikuar ashpër këtë hetim.
Të premten, ai e hodhi për herë të parë akuzën se FBI-ja ka çuar një spiun në skuadrën e tij të fushatës.
Pas kësaj, një shkrim në “New York Times” linte të kuptohej se ka pasur vërtet një informues të FBI-së, i cili është dërguar në skuadrën e Trump-it për të mbledhur informacion, por kjo ka ndodhur vetëm pasi agjencia e inteligjencës kishte marrë raportimet e para për “kontakte të dyshimta që lidhen me Rusinë”.(TemA TV)