Asani: Partizani më përmirësoi, kam oferta nga jashtë

24 Maj 2018, 17:04Sport TEMA

Një ndër afrimet më të bujshme te Partizani në merkaton e verës, ishte Jasir Asani i cili shumë shpejtë arriti të fitonte zemrat e tifozëve të kuq.

Me paraqitjet e tij, Asani u bë pjesë e padiskutueshme e formacionit bazë, duke pasur një rol të rëndësishëm në skuadër, ku me golat dhe asistet e tij ka ndihmuar Partizanin për të arritur fitore.

Në një intervistë për “VIP Sport”, Asani ka folur në lidhje me aventurën e tij te “demat e kuq”, duke pranuar se Partizani e ka rritur si futbollist, por njëkohësisht tregon se për të ka oferta nga jashtë. Ai ka uruar lojtarët e Superiores që arritën Kombëtaren, ndërkohë që ka komentuar edhe gjyqtarët.

Erdhët në Superiore nga Maqedonia! Çfarë ka ndryshe kampionati shqiptar?

Niveli në Maqedoni është pak më i ulët se këtu. Shqipëria në futboll ka shkuar shumë para si në infrastrukturë, ashtu edhe në marketing. Fushat, tifozët reklamat gjithçka janë më mirë se në Maqedoni.

Përfunduat ne vendin e pestë në renditje. A mund të quhet një sezon i dështuar për Partizanin?

Kemi dhënë maksimumin në të gjitha ndeshjet dhe normal që nuk jemi të kënaqur pasi Partizani gjithmonë ka pretenduar për kampion. Nuk mund të quhet sezon i dështuar sepse po presim ndeshjet e Ligës së Europës.

Çfarë ka ndryshuar te Asani që nga transferimi te Partizani?

Te Partizani arrita të ngrihem si lojtar dhe këtë e quaj si një ndihmë të madhe. Mund të them se Partizani më ka ndihmuar në çdo aspekt, si në fushë po ashtu edhe jashtë saj dhe këtë mund ta bëjë vetëm një klub i madh.

Ku do ta shohim Asanin në të ardhmen?

Kampionati ka mbaruar tani dhe për momentin nuk mund të them asgjë. Kam disa oferta por do të shohim në ditët në vijim pasi duhet të bisedoj me presidentin dhe më pas do të vendosim për të ardhmen.

Në një sezon, ke provuar 3 trajnerë të ndryshëm. Cili është ai që të ka ndihmuar më shumë?

Në fakt, nuk mund t’i ndajë pasi të gjithë trajnerët kanë qenë korrektë me lojtarët. Të gjithë më kanë ndihmuar në një mënyrë apo në një tjetër dhe për këtë nuk mund të them se cili më ka ndihmuar më shumë apo më pak.

Çfarë nuk shkon me Partizanin që nuk arritët më lart në renditje?

Nuk mund të them me saktësi se çfarë nuk shkoi me Partizanin, por mund të them se ky është futbolli. Çdo ndeshje ka tre rezultate dhe duhen pranuar që të tre. Ndoshta na ka munguar pak edhe fati, por vetëm diçka është e sigurt; Një ditë Partizani do të rikthehet fuqishëm dhe do të marrë vendin që i takon.

Shpesh herë, gjyqtarët në Shqipëri kanë qenë në qendër të diskutimeve. Çfarë përshtypje keni krijuar për to?

Të gjithë gjyqtarët kanë qenë në rregull por ka pasur disa ndeshje që ndoshta nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Ka pasur ndeshje që kanë gabuar, por ata janë njerëz dhe si çdo njeri mund të gabojnë.

Lojtar të moshës tënde si Abazaj, Gavazaj e Guri arritën Kombëtaren. Si të janë dukur në fushë? Çfarë i mungon Asanit për të kapur Kombëtaren?

E vërteta është se lojtarët si Gavazaj, Abazaj dhe Guri kanë bërë një sezon të shkëlqyer dhe unë dua t’iu uroj vetëm suksese në të ardhmen. Secili lojtar  ka karakteristikat e veta dhe nuk mund të them se çfarë kemi ndryshe nga njëri tjetri. Të gjithë janë lojtarë të mirë pa marrë parasysh faktin nëse luajnë apo jo për kombëtaren. Ka edhe lojtarë të tjerë në moshë të re, që janë shumë të mirë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje