Negociatat, kancelari i Austrisë: Shqipëria ka nevojë dhe e ka merituar mbështetjen tonë

30 Maj 2018, 14:02Politika TEMA

Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz deklaroi se do të mbështesim Shqipërinë në rrugëtimin e saj për në Bashkimin Europian.

Në një deklaratë për median me kryeministrin Edi Rama, kancelari i Austrisë Sebastian Kurz tha gjithashtu se me kryeministrin shqiptar folëm për emigracionin ilegal dhe rrugën nga Shqipëria që po ndjekin klandestinët nga lindja.

Më tej ai tha se Austria do të ofrojë mbështetje financiare për Shqipërinë dhe vendet e tjera që janë  për të luftuar emigracionin ilegal për në Europë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj, i nderuar Kryeministër, i dashur Edi, dëshiroj t’ju mirëpres këtu në Vjenë dhe t’ju falënderoj për shkëmbimin mjaft të mirë të bisedave dhe të bashkëpunimit dhe dëshiroj t’ju informoj që jemi shumë të kënaqur që republika ka një kontakt shumë të mirë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht me Shqipërinë dhe ne kemi një bashkëpunim mjaft të shkëlqyer politik, por dhe gjithashtu një shkëmbim ekonomik mjaft të fortë dhe kjo është e rëndësishme për investimet.

Kemi investitorët më të mirë në Shqipëri dhe në vitin 2017 kemi pasur, eksportet janë rritur në Shqipëri, shkëmbimi ekonomik është rritur gjithashtu. Ne jemi mjaft të kënaqur që kemi një bashkëpunim mjaft të mirë ekonomik dhe politik. Ne sigurisht i mbështesim të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë dhe Shqipërinë, në përafrimin e tyre në Bashkimin Europian dhe duam që ata të kryejnë reformat e duhura në Ballkanin Perëndimor dhe këto të bëhen hap pas hapi.

Ka disa shtete anëtare në Bashkimin Europian që për shkak te situacioneve të tyre të brendshme kanë një qëndrim tjetër, apo një qëndrim kritik të themi, për gjërat, por ne jemi këtu një partner i Shqipërisë dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor, që të afrojmë vendet e Ballkanit Perëndimor në BE. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për një perspektivë europiane. Kjo është rruga e reformave.

Është gjithashtu edhe mënyra brenda shteteve në rajon, sepse ashtu edhe më përpara ka pasur disa tensione, apo probleme të vogla, për shkak të problemeve etnike, apo problemeve të tjera politike. Por kjo është dhe garancia për sigurinë tonë, për stabilitetin tonë në Europë. Ky stabilitet në vendet e Ballkanit do të thotë edhe më shumë siguri dhe një stabilitet në vendin tonë, në Austri.

Tema kryesore për të cilën ne folëm sot ishte lufta kudër imigracionit ilegal. Ne po përjetojmë në Ballkan, në këtë moment, një rrugë të re të migracionit. Kontrabandistët përpiqen që njerëzit t’i marrin nga Greqia përmes rrugës së Shqipërisë në Europën Qendrore. Kjo ka një rëndësi shumë të madhe, sepse duhet të luftojmë kundër këtij fenomeni dhe kundër kësaj rruge.

Jam shumë i kënaqur që ne kemi të njëjtin mendim dhe i kemi zbuluar treguesit mjaft të hershëm jo vetëm në Austri, por edhe në Shqipëri. Duhet të shikoni që shifrat e këtyre refugjatëve po rriten dhe duhet ta trajtojmë këtë problem që tani, përpara se këto probleme të bëhen shumë të mëdha, siç ka qenë rasti në 2015-ën dhe në 2017-ën.

Dëshiroj ta falënderoj përzemërsisht zotin Kryeministër që në Shqipëri është gatishmëria që këtë migracion ilegal ta luftojmë dhe gjithashtu kundër punës që bëjnë kontrabandistët. Pra, për këtë gjë, Shqipëria ka nevojë, por edhe e ka merituar mbështetjen tonë.

Kryeministri më ka kërkuar që unë ta mbështes dhe unë kam thënë që do të qëndrojmë dhe do ta mbështesim fort Shqipërinë që të ketë dhe një mbështete financiare për Shqipërinë, por edhe vendet e tjera që janë në rrugën e re të Ballkanit dhe gjithashtu në mënyrë që të luftojmë këtë migracion ilegal.

Gjithashtu ne do ta mbështesim Shqipërinë edhe në marrëdhëniet bilaterale, do ta mbështesim mjaft mirë, me policë të rinj, por gjithashtu do të shikojmë që ta mbështesim dhe në fusha të tjera.

Sëbashku me ministrin e Punëve të Brendshme do të marrim dhe kontakt me Kryeministrin, me ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, që sëbashku edhe me partnerët e tjerë të BE-së ne të ndjekim një rrugë bilaterale në mënyrë që fluksin e migrantëve ta ndalojmë përpara se të shtohen më shumë e më shumë. – tha Sebastian Kurz.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama u shpreh se ka një fluks të emigrantëve nga Greqia drejt vendeve të Europës përmes Ballkanit, por shtoi se për momentin është kontrolluar.

Megjithatë Rama kërkoi ndihmë për të shmangur rishfaqjen e skenave që tronditën Europën në 2015, pasi vetëm, tha ai nuk mund të përballohet.

“Austria është një avokat i paçmuar në rrugën tonë drejt integrimit dhe unë dua ti shpreh kryeministrit dhe qeverisë austriake mirënjohjen tonë.

Shikojmë një progres në marrëdhëniet bilaterale, aspektin ekonomik, por edhe përmirësimit të marrëdhënieve brenda rajonit tonë.

Në 6 muajt e ardhëm në Presidencën austriake, dëshirojmë që të shtyjmë projektin e lancuar nga unë dhe Vucic për tregut e përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Përsa i përket emigrantëve që lëviznin nga Greqia për të ardhur në Europë.

Kemi një fluks që rritet, por që për momentin ka qenë i kontrolluar prej nesh, por na duhet bashkëpunim për të shmangur rishfaqjen e skenave që tronditën Europën.

Kemi dakordësi të plotë për bashkëpunim me Austrinë dhe vendet e tjera.

Kemi folur me kancelarin se cfarë kërkojmë për t’iu përgjigjur kërkesave nga vendet e BE, por vetëm nuk mund të bëhet.

Ne nuk duam që në Shqipëri njerëzit që vijën të merren nga një kufi dhe të hidhen te tjetri, por të trajtohen në mënyrë dinjitoze”- tha Rama.

Pyetjet nga gazetarët

A do të mundet Shqipëria të çelë negociatat gjatë presidencës austriake të Bashkimit Europian që nis në korrik?

Kancelari Kurz: Do ta shohim këtë gjë. Nuk mund t’ju jap një përgjigje, apo siguri për këtë. Siç e tha dhe Kryeministri, ka disa shtete anëtare të Bashkimit Europian, të cilët për shkak të problemeve, apo çështjeve të tyre të brendshme, e kanë të vështirë të marrin këtë vendim, pra, të thonë po. 

Megjithatë ka një dëshirë të fortë në Shqipëri, që të shkojë drejt rrugës së reformave. Shqipëria ka bërë shumë në rrugën e integrimit europian në vitet e kaluara dhe negociatat e pranimit janë drejt një rruge të mirë. Ka një mundësi të mirë që të shkojmë në rrugën e reformave. Megjithatë nuk e di se kur do të merret ky vendim. Nuk mund t’jua them akoma, por mund t’ju them që Shqipëria është drejt një rruge të mirë dhe Komisioni Europian e ka përcaktuar dhe e ka thënë këtë. Mendoj që kjo është ajo që vlen.

Si ka ndryshuar migracioni në vitet e kaluara, sa refugjatë kanë ardhur më shumë? A keni marrë masa konkrete dhe a keni folur për masa konkrete në punën e përbashkët tuajën? Dhe një pyetje tjetër për Kancelarin. Zëvendëskancelari dje bëri një pyetje, si është kjo çështja e re e refugjatëve dhe emigrantëve në lidhje me rrugën e re të Ballkanit?

Kryeministri  Edi Rama: Për të krijuar një ide të qartë se çfarë na shqetëson dhe për çfarë arsye i jemi drejtuar prej disa javësh miqve tanë këtu në Austri, për të ndërtuar një bashkëpunim tani, pa pritur që gjërat të shkojnë pastaj në rrugën e vitit 2015, është që, nëse në janar – maj të vitit të kaluar, kemi pasur 162 emigrantë të parregullt, në janar – maj deri tani që flasim, numri i tyre është 2311.

Është një shifër e vogël, në rast se konsiderojmë flukset e vitit 2015, por është një shenjë shqetësuese. Për momentin, ne kemi arritur që ta administrojmë të gjithën me forcat e brendshme, por është e domosdoshme që të mospërsëriten gabimet e vitit 2015 dhe që Europa të mos gjendet e papërgatitur në rast se fluksi shkon në rritje. Kini parasysh që edhe moti i mirë është një nga faktorët që e rrisin fluksin dhe për këtë arsye, me kancelarin kemi diskutuar ekzaktësisht se si do bashkëpunojmë dhe çfarë mbështetjeje kërkojmë ne, për të qenë të gatshëm t’i përgjigjemi kërkesës legjitime që vjen nga Austria, nga Gjermania, apo nga vendet e tjera, për të luajtur rolin tonë dhe për të marrë përgjegjësinë tonë.

Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë gjë, por vetëm, siç tregoi edhe 2015-ta, kjo gjë nuk mund të bëhet dhe ne nuk duam që në Shqipëri, njerëzit që vijnë, të merren nga një kufi e të hidhen në kufirin tjetër për të vazhduar rrugën, por duam të trajtohen në mënyrë dinjitoze, në mënyrë të rregullt dhe ne jemi të gatshëm që në këtë bashkëpunim, të vendosim në dispozicion të gjitha kapacitetet tona për të mundësuar nga njëra anë, garantimin e sigurisë së kufijve dhe nga ana tjetër, një trajtim dinjitoz të të gjithë njerëzve. Kështu që në këtë aspekt, unë e përsëris atë që tha Kancelari, që besoj se i kemi të gjitha mundësitë dhe besoj se kemi planin e duhur për ta parandaluar një rishfaqje të filmit të vitit 2015, që do ishte dramatik për të gjithë ne.

Kancelari Kurz: Për pyetjen e dytë, për pozicionin e rregullave për lëvizjen e lirë, është e qartë që programi i regjimit flet për pozicionin tonë. Gjuha është shumë e qartë dhe thënia e zëvendëskancalarit nuk duhet të interpretohet gabim.

Për pyetjen tuaj të parë, meqë ju folët për bashkëpunimin konkret që do të bëjmë me Shqipërinë, unë e falënderoj Kryeministrin shqiptar, sepse ne nuk duam që ajo që ndodhi në 2015, ajo që u bë gabim atje, ta vazhdojmë përsëri në të ardhmen. Edhe ai e shikon mjaft kritik këtë,  nga një kufi, në vitin tjetër problemet nuk janë më të vogla, por po rriten dhe prandaj ne na duhet siguria e kufijve dhe ne duam që në një nivel europian ta zhvillojmë këtë. Të kemi një mbështetje europiane për Shqipërinë dhe për vendet e tjera që janë përgjatë kësaj rruge të re. Së dyti, ne duam që ta mbështesim Shqipërinë nga ana bilaterale. Ministrat e Brendshëm tashmë kanë marrë kontakt me njëri-tjetrin. Ne sot e diskutuam edhe këtë dhe shpresojmë që bisedimet të vazhdojnë në një nivel ekspertësh. Autoritetet shqiptare, policia dhe ne do mundohemi t’i mbështesim këto sa më mirë të jetë e mundur. Folëm për bashkëpunimin mjaft të ngushtë edhe me vendet e tjera në rajon, por gjithashtu folëm edhe për mbështetjen financiare që do të bëjë dhe Bashkimi Europian. Por gjithashtu bëmë dhe bisedime teknike.

(TemA)

2 komente në “Negociatat, kancelari i Austrisë: Shqipëria ka nevojë dhe e ka merituar mbështetjen tonë”

  1. Zigur Qarri says:

    Austria e ndihmon Shqiperine pa interes,por fjala e saj nuk ka peshe ne BE,si Franca dhe Gjermania.
    Pjesa dërrmuese e industrisë së kumarit në Shqipëri, veçanërisht ajo e kazinove elektronike zotërohet
    nga të huajt si austriaket novomatic dhe apex. Sipas të dhënave nga tatimet gati 60 për qind e gjithë
    pikave të kumarit në Shqipëri janë me pronësi të huaj, çka do të thotë se paratë që shqiptarët lënë në
    kumar shkojnë si fitime për kompani jashtë shtetit.Kumari u katërfishua që nga 2013. Bastet dhe kazinotë,
    paratë shkojnë jashtë.Në maj të vitit 2013 në të gjithë Shqipërinë numëroheshin 928 pika bastesh, në maj
    të këtij viti numri i tyre ka shkuar gati në 4 mijë.Kjo ka bërë që aktualisht në Shqipëri të ketë një pikë basti
    për cdo 720 banorë, kur dikur raporti ishte 1 pikë për 2580 banorë.Përhapja e vrullshme e industrisë së
    kumarit nuk ka prekur vetëm bastet sportive. Rritja ka shënuar edhe numri i kazinove elektronike nga 112
    që ishte në vitin 2013 në 140 të tilla aktualisht.Biznesi i kumarit vazhdon të prodhojë fitime marramendëse
    duke lënë pas kosto të mëdha sociale për familjet shqiptare. Për t’u dhënë fund këtyre kostove në tetor të
    vitit 2013, vetëm një muaj pasi kishte ardhur në pushtet qeveria premtoi kufizimin dhe madje mbylljen për
    fare të industrisë së kumarit.Në atë kohë qeveria autorizoi dhe një operacion të gjerë policor kundër kumarit.
    Por siç tregojnë të dhënat nga QKR, e gjitha rezultoi një farsë. Në vend të mbylljes së kumarit, ajo që ka ndodhur
    është zgjerimi i tij në përmasa të frikshme, katër herë më shumë se në 2013-ën.

  2. Dibrani says:

    E meriton ,..porrrrrrrrrrrrrrrrrrrrr s’mund te them nje dat ,….hahahaha
    Tallje ndaj nje shteti rrumpall.

    Qerrou o Ram ,..leri popullin te lir ,..po mban peng nje popull duke mbrojtur qelbesirat e tua

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje