Parlamenti spanjoll votoi në favor të mocionit të mosbesimit kundër kryeministrit Mariano Rajoy, duke i dhënë fund qeverisë së qendrës së djathtë të Spanjës pas gjashtë vjetësh në pushtet.
Mocioni u ngrit nga shefi socialist i opozitës, Pedro Sánchez, pas përfundimit javën e kaluar të një gjyqi të gjatë korrupsioni, i njohur si rasti Gürtel. Një gjykatë spanjolle gjeti fajtorë ish-zyrtarë të Partisë Popullore të zotit Rajoy për kryerjen e një operacioni me mashtrim fondesh.
Pedro Sánchez, do të jetë kryeministri i shtatë spanjoll që kur Spanja rivendosi demokracinë në vitet e 70-ta pas diktaturës së Francisco Francos.
Një ditë më parë ai i kërkoi zotit Rajoy të japë dorëheqjen për të shmangur poshtërimin duke u bërë kryeministri i parë spanjoll që humbet votëbesimin.
“Do t’ju bëj një pyetje zoti Rajoy, a jeni gati të jepni dorëheqjen, a jeni gati të jepni dorëheqjen sot, këtu, tani. Jepni dorëheqjen zoti Rajoy dhe gjithçka do të përfundojë. Ju mund të largoheni vetë nga qeveria. A do të japësh dorëheqjen apo do të vazhdosh të kapesh pas pozitës, duke dobësuar demokracinë, duke dobësuar dhe nënçmuar cilësinë e institucionit qeveritar?”
Ai tha se do të respektojë buxhetin e miratuar nga qeveria aktuale e zotit Rajoy dhe gjithashtu do të kërkojë të fillojë një dialog të ri me rajonin e trazuar të Katalonjës.
Gjatë debatit, zoti Rajoy tha se votimi i mosbesimit është vetëm një justifikim nga ana e zotit Sánchez për të marrë pushtetin pa zgjedhje.(voa)