Ish prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, ka bërë tentativë tjetër për t’i shpëtuar drejtësisë.
Avokati mbrojtës është paraqitur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ku në seancë ka kërkuar ndërprerjen e procesit të rivlerësimit.
Ndërkohë, vetë Llalla nuk ka qenë i pranishëm por përfaqësohet nga avokati i tij Sokol Hazizaj. Komisioneri publik Florian Ballhysa kërkoi prishjen e vendimit të KPK për Llallën, për ndërprerje të procesit të rivlerësimit.
Sipas komisionerit, Llalla është ende magjistrat, pasi sipas tij dorëheqja e ish kryeprokurorit nuk është shprehur përmes formës dhe procedurës ligjore, prandaj është nul.
“Pa u materializuar dorëheqja në formën e procedurën e parashikuar në ligj nuk mund të prodhojë asnjë efekt juridik, qoftë ky dhe ndërprerja e procedurave të vlerësimit kalimtar.
A është nënshkruar nga vetë magjistrati dorëheqja kur dorëheqja është bërë me postë?
Ditën që mbaron mandati i institucionit të rivlerësimit, gati 4 vite më pas nga dita e sotme që po zhvillohet ky gjykim, ai ka gjithë të drejtën të kërkojë rikthimin në sistem duke mos e kaluar kurrë kështu procesin e rivlerësimit”, tha Ballhysa.