Një ndër futbollistët më të dalluar te Partizani gjatë këtij sezoni, ishte mesfushori i krahut, Lorenc Trashi i cili ka qenë protagonist në disa ndeshje të “demave të kuq”.
Në një prononcim për “Supersport”, Traashi ka folur në lidhje me sezonin që lamë pas, duke e konsideruar si të dështuar, ndërkohë që ka përmendur të ardhmen e tij dhe një ftesë të mundshme nga tekniku i Kombëtares, Kristian Panuçi.
“Për mua është një sezon zhgënjyes duke parë se kemi pritshmëri të larta. Nuk duhet të pretendojmë për vend të 4 apo 5 por për të dalë kampion dhe për të marrë pjesë në kupat e Europës. Objektiv i Partizanit duhet të jetë ky dhe sivjet nuk arritëm asnjërën nga këta të dyja prandaj e quaj të dështuar këtë sezon.
Është viti i 4 që jam pjesë e Partizanit dhe nuk ishte një sezon i mirë, por në aspektin personal nuk e fus në sezonet më të dobëta.
Nga mediat dhe tifozët u cilësua se te Partizani ka një gardë të vjetër por në të vërtetë kjo nuk ka ekzistuar pasi në çdo ekip ka lojtarë më të vjetër që iu japin të rinjve më shumë kurajo.
E ardhmja? Të tregohem i sinqertë, pas përfundimit të kampionatit kam biseduar me presidentin Demi dhe i kam treguar që dua një transferim jashtë dhe më ka thënë që ka pasur disa oferta por do të shohim dhe do të vendosim.
Kombëtarja? Në aspektin individual shpresoj që në të ardhmen të jap më shumë për ekipin e Partizanit apo për çdo ekip tjetër. Duhet të kap 100 tim dhe t’i jap një sinjal Panuçit që të kem një ftesë të mundshme”, u shpreh Trashi.