Drejt “Rusi 2018”: Ngadhënjimi gjerman dhe stonimi i “shurdhan” i sambas braziliane (2014)

10 Qershor 2018, 08:56Sport TEMA

Nga Skifter Këlliçi

Më 1950, plot 54 vjet pas tragjedisë së përjetuar në stadiumin “Marakana” të Rio de Zhaneiros, me nxënësi rreth 200 mijë shikuesish, që, siç është shkruar në këtë histori, iu shkaktua Guliverit Brazil nga liliputët uruguajanë, të cilët morën me vetë në atdhe Kupën e Botës “Zhyl Rime”, po në këtë stadium, por të rikonstruktuar, brazilianët prisnin që skuadra e tyre të hakmerrej në finale. Mundësisht sërishmi ndaj uruguajanëve. Por, medet, për ta, sepse këtë radhë vendin e komshinjve të tyre kaq të lakmuar, në finale e kishin zënë gjermanët, të cilët në fushë dukeshin se po mësynin portën kundërshtare nën ritmin e uverturave të operave kumbuese të Vagnerit , melodia e të cilave shurdhoi “sambën” braziliane. Dhe më këto mësymje e morën atë në këtë finale 7 herë. Dhe për më keq, siç do të shohim, jo në finale, ku gjermanët do të përballeshin me mjeshtërit e tangos argjentinase.

Po vazhdojmë me aventurat e papritura që solli botërori brazilian, 2014. Kostoja për organizimin e tij, pra për rikonstruksionin dhe ndërtimin e stadiumeve të reja, rrugëve, aeroporteve, hoteleve për turistët, në qytetet ku u zhvilluan ndeshjet e këtij botërori, arriti shifrën marramendëse… 14 miliardë $. Më larta në historinë e botërorëve, po të marrim parasysh se Botërori Gjermani 2006 kishte kushtuar 6 miliardë ç, Botërori Kore e Jugut-Japoni, 5 miliardë, Jug-afrikan, 2010, 4 4 miliardë, Franvë 1998, 340 milionë $, dhe Botërori SHBA 1994 vetëm 30 milionë $.

Valës së rrëmbyeshme të protestave që kishin nisur qysh një vit më parë, për shkak të këtyre shpenzimeve skandaloze, iu shtuan protesta të tjera, madje dhe gjatë ditëve të botërorit. Romario, ish-futbollist i njohur i përfaqësueses braziliane, pastaj figurë politike, e përcaktoi këtë botëror si “grabitjen më të madhe në historinë e vendit të tij “, dhe kërkoi të bëhej një hetim i thelluar, për të gjetur se si ishin përdorur këto fonde. Një pjesë e mirë e tyre kishte përfunduar në sferat korruptuese të organizuesve dhe qeveritarëve, kur masat e popullit vazhdonin të jetonin si gjithnjë në varfëri të jashtëzakonshme, madje në basifondët e lagjeve mjerane, ku sundonte kriminaliteti, prostitucioni dhe droga. Sidoqoftë, edhe pse protestuan plot mllef, tifozët e thjeshtë brazilanë i lanë mënjanë hallet e përditshme, përpinë stadiumet, edhe pse pas katatrifës së përfaqësueses braziliane, shpresat e tyre e u këputën si gjethe të një vjeshte të furishme… .. Me t’u shuar tingujt e mbramë të këngës “ We are one”, (Ole,ole), të kënduar nga Klaudia Leitepite, Pitbull dhe Xhenifer Lopezi, në fushën e stadiumit “Marakana” të Rio de Zhneiros u derdhën Brazili vigan dhe Kroacia “e imtë” në krahasim me të, por që deri atëherë kishte bërë emër në futboll, e cila së bashku me Meksikën dhe Kamerunin bënin pjesë në grupin A.

Merret me mend dridhëtimi e “torsidës”, (kështu quhet tifozeria braziliane), kur mbrojtësi famëmadh, Marselo, që luan me ‘”Realin”, shënoi gol, por… në portën e vet . Stadiumi për do kohë u tkurr dhe melodia e “sambës” reshti së dëgjuari. Sidoqoftë, me gola të Neimarit në 29’ dhe 71 dhe të Oskarit në 90+1, Brazili, disi i sikletosur për lojën jo fort të këndshme, e kaloi këtë hendek. Pas fitores 4-0, kundër Kamerunit që ishte “zhgënjim i beftë” i këtij botërori, sepse luanët e saj u larguan, pa futur në bagazhet e tyre të paktën…një pikë, edhe kroatët pësuan këtë fat, por, gjithsesi, të lehtësuar nga kjo fitore “platonike”. Vendin e parë në këtë grup me nga 7 pikë e ndanë paqësisht Brazili dhe Meksika. Por zhgënjimin më të madh në grupin B dhe në këtë botëror e solli Spanja, siç e kemi parë, perandoresha e Botërorit Afrikë 2010, e cila, edhe për gabime foshnjarake të portierit Kasijas, i cilësuar “doreza e artë” e botërorit të kaluar afrikan, e interpretoi kaq pahijesisht “flamenkon”, sa doli nga fusha e shpartalluar 5-1, pas valangës së golave të Van Pirsit (2), Robenit dhe De Vrijit , kur golin e ngushullimit për të e arkivoi Alonso.

Si të kishte pësuar një “induksion magnetik” spanjollët, pas golave të Vargsit dhe Aranguizit, pësuan një nokaut tjetër të rëndë nga Kili, (2-0), dhe u larguan plot melankoli nga amfieatri i këtij botërori, me të vetmen fitore 3-0 ndaj Australisë, që, edhe ajo la këtë botëror, me “xhepa të boshatisur”. Duke mposhtur edhe kilienët 2-0, me gola të Ferit dhe Depaisë, holandezët “fluturues” , ia dolën të viheshin në krye, të shoqëruar nga pas prej jug-amerikanëve dhe kështu kaluan së toku me ta në fazën e ndeshjeve mënjanuese. Grupi C regjistroi suksesin e paparashikuar të Kolumbisë, që arriti tri fitore ndaj Greqisë,( (3-0), Bregut të Fildishtë, 2-1dhe Japonisë 4-1. Ra në sy në këtë ndeshje mesfushori Hames Rodrigues , që pas këtij botërori do të bëhej vrikthi pre e “Realit” të Madridit dhe Kuadrado, pre e nga ‘Juventusit”. Sidoqoftë, Greqia u rendit e dyta, duke lënë pas breg-fildishtasit, pas Kamerunit tjetër zhgënjim afrikanas i këtij botërori, dhe Japoninë që mundi të grumbullojë vetëm.. .një pikë, pas barazimit me helenët tanë fqinjë. Axurrët, në këtë botëror priheshin nga trajneri Prandeli, që në Euro 2012, i kishte ngjitur ata në piedestalin e nën kampionëve, pas Spanjës, që vazhdonte të ruante vezullimin e botërorit jug-afrikan. Mirëpo, siç duket, në grupin D ku bënin pjesë, atyre iu shfaq fantazma e Sllovakisë, por nën petkun e Kosta Rikës, modestisht e njohur në galerinë të futbolli botëror dhe dolën nga fusha e lojës të mundur 0-1.

Si përfundim, edhe pse “kaltëroshët” gjunjëzuan2-1 Anglinë, me gola të Markizios dhe Balotelit, ata ngritën duart përpjetë (0-1)edhe para Uruguait të Kavanit dhe Suaresit, ( ky i fundit i shquar në këtë ballafaqim edhe për një “qafë kafshim” ndaj Kielinit, huq që e kishte “demonstruar spektakolarisht” edhe më parë në fushat e lojës). Kësisoj, “kaltëroshët” së bashku me anglezët që morën nga ky botëror si “ “hajmali” vetëm nga një pikë, lanë të zhgënjyer botërorin brazilian. Tekat e shortit mblodhën në grupin D dy skudra evropiane, Francën dhe Zvicrën a që u ndodhën “në shoqëri” dy skuadra jug-amerikane, Ekuadorin dhe Hondurasin, të cilët nuk mundën veçse t’i shihnin “nga poshtë lart” francezët dhe zviceranët, teksa ata kaluan në fazën e dytë, përkatësisht me, 7 dhe 6 pikë. Sidoqoftë, Ekudori me fitoren kundër hondurasve, (4-0) dhe barazimin 0-0 me Francën, nuk mund të thuash se e mbylli keq misionin e tij në këtë botëror. Vërtet Argjentina korri tri fitore në grupin e vet, por, ama, gati sa nuk i ra bretku… Këtë e dëshmojnë shifrat: 2-1 kundër Bosnjë Hercegovinës që debutonte për herë të parë në një botëror, 3-2 kundër Nigerisë dhe 1-0 kundër Iranit. Nga ana tjetër, Nigeria, duke mposhtur 1-0 Bosnjë Hercegovinën u rendit e dyta.,dhe kështu boshnjakët dhe iranianët morën rrugën për në vendlindje.

Të papriturën në grupin e fundit G, e solli përfaqësuesja e SHBA-së, e cila u rendit e dyta pas Gjermanisë, që grumbulloi 7 pikë, duke lënë pas Portugalinë e Ronaldos dhe Ganën. Amerikanët humbën 0-1 me gjermanët, kampionët e ardhshëm, morën revanshin ndaj Ganës (2-1), pas humbjes së katër viteve të shkuara në Botërorin Jug-afrikan dhe barazuan 2-2 me portugezët , të cilët së bashku me afrikanët i dhanë lamtumirën Brazilit. Nisën kështu ndeshjet e 1/8 të finaleve. Brazilit për pak sa nuk hasi sharra në gozhdë në takimin me Kilin, kur pas golave të Luizit për brazilianët në 18’ dhe të Sançesit për kilenët në 32’ , rezultati mbeti 1-1, ndonëse “torsida” zemërngrirë nuk pushoi s’u dhëni zemër. Ky lëmsh i ngatërruar iu zgjidh pas lotarisë së 11-metërshave. Të zotët e shtëpisë i shpëtoi këmba e Neimarit që shënoi 11-metërshin e fundit dhe kështu brazilianët e hodhën lumin, (3-2). Pas rezultatit të barabartë 1-1, me lotarinë e 11-metërshave u zgjidh edhe fati I takimit Kosta Rika-Greqi, por këtë radhë me shifrat 5-3 për latino-amerikanët. Bëri bujë fitorja e Kolumbisë, ( 2-0) kundër Uruguait të fortë Kavanit dhe Suaresit, që luajnë përkatësisht me PSG-në dhe “Barcelonën”. Me dy gola të shkëlqyer të Rodriguesit , kolumbianët u hodhën në fazën tjetër të finaleve. Franca, pasi kaloi “në vrimë të gjilpërës”, përligji epërsinë ndaj Nigerisë me dy gola të Pogbës dhe Jobos në 70 dhe 90+1.

Edhe gjermanët hoqën picirin që të ç’kyçnin portën hermetike të Algjerisë, duke na sjellë ndërmend se po kaq pisk e kishin pasur ata në takimin e zhvilluar m në Botërorin Spanjë ’1982, kur kishin humbur 1-2.… Këtë radhë i mposhtën ata po me të njëjtin rezultat, por vetëm në shtesën e lojës prej 2×15 minuta, me gola të Shurles dhe Ozilit në 92’ dhe119. E njëjta dukuri u pa dhe në takimin e Argjentinë kundër skuadrës zvicerano-kosovare. Shprehem kështu, sepse në përbërjen e kësaj të fundit ishin shqiptarët e Kosovës Xhaka, Mehmeti, Shaqiri, Behrami dhe Xhemaili, pra thuajse gjysma e saj….Dhe të mendosh se në rast se goditja e Mehmetit në minutat e fundit të kohës së rregullt, do të përfundonte fatalisht në shtyllë, kjo skuadër do të kishte arritur në çerekfinale dhe nuk dihej se çdo të ndodhte më pas. Pastaj në 118 ishte De Maria që luan me PSG-në i cili shënoi të vetmin gol të fitores për skuadrën e Mesit… Edhe një ndeshje tjetër, Belgjikë-SHBA, përfundoi pas 120 minutash, kur koha e rregullt ishte mbyllur e bardhë 0-0. Golit të De Bruinit në 93’ , që sot luan me “Mançester Sitin”, dhe të Lukakut me “Mançester Junaitedit “në 105’ amerikanët iu përgjigjën me një gol të Grinit, 7 minuta para mbarimit të takimit.

Nisën kështu çerekfinalet…

Që Brazili po çalonte gjithnjë e më shumë, këtë e dëshmoi takimi kundër Kolumbisë, i përshkruar nga lojë e tendosur… Është e vërtetë që Neimari u dëmtua nga një ndërhyrje e rëndë, por është po aq e vërtetë që kolumbianët edhe mund të kishin fituar…. Për Brazilin golat u shënuan nga Tiago Silva në 7’ dhe David Luizi në 69’. Për kolumbianët shënoi Rodriguesi në 80’, me 11- metësh. Një gol i mbrojtësit gjerman Humels në 13’ përcaktoi dhe fatin e takimit Gjermani-Francë, ku u panë pasazhe loje të bukur dhe emocionuese. Me të njëjtat shifra u mbyll edhe takimi Argjentinë-Belgjikë, ku golin e fitores për “tangon” argjentinase e shënoi Iguaini që luan me “Juventusin”.

Tjetër maratonë 120 minutëshe u regjistrua në përplasjen midis Holandës dhe Kosta Rikës. Dhe tjetër seri e lotarisë së 11-metërshave. Fituan holandezët ndaj kostarikanëve të papërvojë. Sidoqoftë, vetëm 4-3, me gola të ujqërve të regjur Van Pirsi , Roben, Snejider dhe Kujt. Nisi të shkruhej dhe kapitulli ½ të finaleve. Gjermania ishte ndeshur më 2002 në finale me Brazilin e fenomenit Ronaldo që i kishte përcjellë me dy gola,pa pësuar asnjë. Tani si dema të egër, ata viheshin sërishmi përballë njeri-tjetrit. Dhe tifozët brazilianë, ndonëse e shihnin se skuadra e tyre gjithnjë e më shumë po se zvarriste “sambën”, kishte besim se do ngadhënjente …

Me disa shokë të mi shqiptarë këtë ndeshje e kam ndjekur në një kafene të Bostonit, në prani edhe të tifozëve brazilianë. Dhe farë tmerri na panë sytë!.. Brenda gjysmë ore , edhe për faj të mbrojtësve të çoroditur brazilianë, Myleri në 11’, Klose në 23’, Kroosi në 24’ dhe 26’ dhe Khedira në 29’ e shpunë rezultatin në 5-0 për teutonet e pamëshirshme si dikur në Mesjetë…Ishte me të vërtetë për të mos u besur syve. Brazilianët e pranishëm sa nuk po shpërthenin në “lotëri”. Kurse tifozët brazilianë në stadiumin e Mineiros heshtnin të mpirë. Mbase kujtonin takimin final kundër Uruguait me 1950… Po atëherë kishin dalë edhe pse të humbur 1-2, kishin luajtur plot dinjitet.

Siç duket, në pjesën e dytë trajneri gjerman Lov, i porositi futbollistët e tij ‘”të ulnin marshin”, por, megjithatë, Shurle nuk i vuri vesh kësaj këshille, sepse depozitoi në portën braziljane edhe dy gola të tjerë, të cilëve Oskari iu përgjigj me të ashtë quajturin gol të nderit. Kështu takimi mu mbyll me buçimën e 7 golave që dukej si të shoqëroheshin nga goditjet ritmike të timpanit të ndonjë prej uverturave festive të Vagnerit. Dhe të mendosh se trajner i Brazilit të markës 2014, ishte Skolari, as më shumë dhe as më pak, por ai që kishte drejtuar Brazilin e mësipërm ngadhënjimtar të 1 14 viteve të shkuara, pra më 2002, madje edhe në Kupën e Konferedratës të vitit 2013. Tronditja qe kaq e fortë, sa Brazili u duk si somnambul edhe në takimin për vendin e tretë me Holandën, që doli në fushë më i motivuar. Arsyeja mbase ishte sepse kishte humbur me Argjentinën 4-2, as në shtesën e lojës, por pas 11-metërshave të saktë të Mesit, Garait, Agureos dhe Drigesit, ku për holandezet, veç të tjerëve humbi 11-metërshin edhe shenjëtari Snejider. Holandezët, si për “mëshirë” ndaj kundërshtarëve të rraskapitur u mjaftuan vetëm me 3 gola të Van Pirsit me 11- metërsh, që në minutat e para, pastaj të Blindit dhe të Vijnaldumit në 17’ dhe 90+1.

Kështu finalja e këtij botërori , të zhvilluar më 13 qershor 2014, në stadiumin “Marakana” të Rio de Zhaneiros , prani të 74.738 shikuesve, bë pronë për t’u ndarë midis Gjermanisë dhe Argjentinës. Ashtu si më 1986 në Botërorin Meksikan kur kishte fituar Maradona me shokë, (2-1), dhe kur 4 vjet më pas, në Botërorin Itali 1990 nafaka, u kishte buzëqeshur gjermanëve., që kishin fituar pas 11-metërshit, jopa polemika, të shndërruar në golin e fitores nga Brehme.

Habitërisht stadiumi “Marakana”, nuk mbante atë ditë mbi shpatullat e tij vetëm mijëra dhe mijëra turistë nga të katër anët e botës, por mbi të gjithë, tifozë, sado të zhgënjyer brazilianë për pasojat e befta të kombëtares së tyre bjerrafat. Dhe për kë do të bënin tifo më shpjegonte atëherë një mik brazilian, me të cilin pashë këtë ndeshje. Kryesisht për Gjermaninë. Për arsyen e vetme se, përderisa ajo kishte nxjerrë “nokaut” skuadrën e tyre, le ta përsëriste këtë bëmë edhe në këtë takim me Argjentinën, që tradicionalisht kishte qenë “macja e zezë’ për të. Mirëpo, që të ndodhte kjo, gjermanëve iu deshën plot dy orë kapërthimesh si të gladiatorëve të lashtë, ku herë ata herë argjentinasit gati sa nuk vunë njeri-tjetrin me shpatulla në terrenin e arenave. Siç ndodhi në shtesën e lojës ku Iguaini që i ndodhur vetëm para portës, u hipnotizua, gjuajti jashtë, dhe humbi shansin më të mirë që pas vitit 1978 ta çonte për të tretën herë skuadrën e tij ne Olimpin e futbollit botëror. Për ironi të fatit ia la këtë detyrë Gwtces, I cili zëvendësoi Klosen, që pa ngurrim gjuajti dhe shënoi atë gol aq të dëshiruar…Kështu Gjermania për të katërtën herë, (1954,1974, 1990, 2014) u shpall skuadra më e mirë e rruzullit tokësor.

Përbërjet e skuadrave;

Gjermania-Noier, Lahm, J. Boateng, Humeles, Hëvedes, Kramer, (Shurle), Shvainshtaiger, Myler, Kroos, Ozil, (Mertesaker), Klose, (Gëtze); Trajnetr Lov.e;

Argjentina- Rometo, Zabaleta, Demikelis, Garai. Roho, Maskerano, Bilia,Perez, (Gago),Laveci,(Palacio), Mesi, Iguain, (Aguero);Trajner Sabela.

Statistika: Botërori u zhvillua në stadiumet e 12 qytetëve braziliane: Rio De Zhaneiro, Brazilia, Belo Horozonte, Forteza, Porto Alegre, San Paolo, Kulaba, Kuritiba, Salvdor, Manaus, Natal…me nxënësi nga 40-77 mijë shikues; Lojtari më i mirë-Mesi, (Argjentinë); Shënuesi më i mirë- Rodrigues, (Kolumbi gola); Portieri më i mirë-Noier, (Gjermani); Klose, (Gjermani), me 16 gola të shënuar në botërorët ku kishte marrë pjesë, (5 më 2002,5, 5 më 2006 , 4, më 2010 de 2 më 2014), u shpall gol-shënuesi më i mirë i tyre.

Ndeshje të zhvilluara- 64; Gola të shënuar-171,92,67 për ndeshje; Shikues-3429.873, (53.562 për ndeshje).

Kureshti:

Kamponia e botës, Gjermania u shpërblye me 25 milion euro; Argjentina, nën kampione, me 18 milionë, Holanda dhe Brazili, fitues të vendit të tretë dhe të katërt dhe të katërt me nga 16 dhe 14 milionë euro. Për herë të parë në këtë botëror u përdor teknologjia në vijën e portës, për të përcaktuar nëse topi ka kaluar ose jo plotësisht atë plotësisht, pra për të përcaktuar në rastin e dytë që është shënuar gol. Për herë të parë, gjithashtu, gjyqtarët përdorën një tubet të mbushur me shkumë që pastaj avullon, e cila shërben për të shënuar vijën pas së cilës duhet të vendosen futbollistët gjatë goditjeve të dënimit. …Erdhëm kështu në fund të këtij cikli prej 20 shkrimesh, që i kam titulluar “88 vjet rreth planetit të futbollit botëror”, duke perifrazuar kështu titullin ne romanit të njohur “’80 ditë rreth botës” të shkrimtarit të madh francez Zhyl Vern. Si Fileas Fogu, heroi i këtij romani, edhe unë, por bashkë me lexuesit që na ndoqën, u ndalëm në tërë vend zhvillimet e këtyre botëroreve dhe u njohëm me disa nga ngjarjet më të tërheqëse të tyre. Por nëse Fileas Fogun me mikun e tij e nisën udhëtimin me ballon nga Londra, për ta përfunduar po në Londër, ne me ”ballonin tonë” do të ndalemi në Rusi, ku nga 14 qershor deri 15 korrik të këtij viti do të zhvillohet Botërori Rusi 2018, me të papriturat e të cilit lexuesit do të njihen edhe në faqet e kësaj gazete.

 

 

1 komente në “Drejt “Rusi 2018”: Ngadhënjimi gjerman dhe stonimi i “shurdhan” i sambas braziliane (2014)”

  1. Nik says:

    O miku ne 86 ne Meksike gjermanet humben 3 me 2 nga argjentina bile ishin duke humbur 2 me 0 dhe kishin arritur te barazonin ne 2 me 2.sa per info.ok?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje