Nga Mirdita e Kastriotëve e kanë prejardhjen dhe Kastratët e Hasit, çfarë thonë historianët

24 Qershor 2018, 14:05Dossier TEMA
Nga Mirdita e Kastriotëve e kanë prejardhjen dhe Kastratët e

Refleksione rreth shkrimit “A ishte Skënderbeu nga Hasi”? Të Prof. Asoc. Dr. Muhamet Bela

Nga Preng C. Lleshi

Është e natyrshme që për një fis legjendar të shqiptarëve, siç ishte fisi i Kastriotëve dhe për një figurë emblematike të kombit tonë, siç është ajo e Gjergj Kastriotit, do të ketë, në rrjedhën e kohërave, opinione të ndryshme nga historianët dhe dashamirësit e historisë së Shqipërisë, edhe pse madhështia e kësaj figure nuk vihet në diskutim nga historianët shqiptarë.

Është pozitive që në këtë vit të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar po sillen edhe të dhëna interesante, të cilat opinioni i gjërë publik nuk i ka njohur më parë me hollësi. Kanë qenë me vlerë temat mbi Gjergj Kastriotin si politikan dhe analiza e testamentit të tij si testament me vlera aktuale, siç është me vlerë edhe botimi i letërkëmbimit të Heroit tonë Kombëtar me sulltanë të ndryshëm turq në librin e studiuesit Mark Palnikaj.

Por nëse për madhështinë e figures së Gjergj Kastriotit dhe për përkatësinë e tij shqiptare gjërat tanimë janë qartësuar, nuk ka ndodhur e njëjta gjë me “hipotezat” për përkatësinë krahinore të Heroit tonë Kombëtar. Është kjo arsyeja që në historiografinë shqiptare, kryesisht, në atë të shekullit XX, por edhe të këtij fillimshekulli, është folur për tri vendorigjina të Kastriotëve: Matin, Dibrën dhe Kastratin e Hasit, duke lënë, çuditërisht, në harresë tezën e historianit austriak Jakob Falmerajer dhe të historianit shqiptar Athanas Gega, të cilët vendorigjinën e Kastriotëve e përcaktojnë në Kastër, në Vig të Mirditës.

Ka qenë kjo arsyeja që unë, në librin tim “Polemika për Kastriotët”, botuar në vitin 2010, krahas polemikave të tjera, të përfshira në kapitullin “Anti-Schmitt”, kam përfshirë edhe kapitullin “Mirdita-Vendorigjina e Kastriotëve”, në të cilin kam sjellë jo pak dëshmi e referenca historike nga studiues e historianë shqiptarë e të huaj, që hedhin dritë mbi ca të vërteta të mëdha lidhur me vendorigjinën e Kastriotëve nga Mirdita. Ca nga këto dëshmi e referenca i kam bërë të ditura edhe në një emision televiziv në “Neë 24” me Rezart Xhaxhiun.

Pasi konstatova një heshtje prej varri nga specialistët e kësaj fushe, iu drejtova edhe institucioneve përkatëse shtetërore për këtë çështje: Akademisë së Shkencave, Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe Institutit të Historisë. U kërkova një diskutim të hapur me specialistët e fushës, por, çuditërisht, zëri im ra në vesh të shurdhër: Asgjë nuk u bë nga këto institucione rreth kërkesës sime për një diskutim shkencor, në plan akademik, rreth një çështjeje të tillë jo pa rëndësi në shkencën e historisë.

Si rezultat i këtyre të vërtetave të hidhura ka vazhduar e vazhdon debati mbi vendorigjinën e fisit të Kastriotëve. Siç kam thënë edhe në një shkrim të botuar ca kohë më parë, në ditët tona kemi katër grupe studiuesish e historianësh që polemizojnë me njëri-tjetrin: Ca mbrojnë tezën e historianit Marin Barleti, sipas të cilit Kastriotët janë nga Mati, ca të tjerë duan t`i ngrënë përmendore Gjergj Kastriotit në Dibër, se, sipas tyre, “qenka” prej asaj ane; nga ana tjetër, hasjanët e mirditorët nuk mbeten prapa: Edhe ata kanë dëshmitë dhe referencat e tyre për vendorigjinën e Gjergj Kastriotit nga Hasi ose Mirdita.

Tek po meditoja për të gjitha këto, në gazetën “Dita”, u njoha me shkrimin e Prof. Asoc. Dr. Muhamet Bela me titullin “A është Skënderbeu nga Hasi”?. Kjo pyetje, natyrisht, më shtyri ta lexoj me vëmendje këtë shkrim, i cili ishte disi i veçantë në llojin e tij. Ishte i veçantë, sepse këtu Prof. Asoc Dr. Muhamet Bela, pasi parashtronte të katër “hipotezat”, siç thotë ai, duke sjellë jo pak pohime për secilën prej tyre, i kundërshtonte tre të parat dhe ndalej tek “hipoteza” e tij, sipas të cilës vendorigjina e Kastriotëve nuk duhej kërkuar as në Mat, as në Dibër dhe as në Mirditë, por në Has (Kastrat) të Kukësit. Për këtë, si edhe për “hipotezat” e tjera, ai sillte jo pak citime nga studiues e historianë të ndryshëm.

Është kjo arsyeja që edhe unë, duke u shmangur disi nga rruga që ka ndjekur Profesori në parashtrimet e tij, dua të theksoj se trajtimi i “përkatësisë krahinore” të Kastriotëve nuk “merr shkas, siç pohon në shkrimin e tij Profesori, nga një shtysë e brendshme autoriale, që kërkon të bëhet zëdhënëse e vlerave dhe e “karshillëkut” krahinor kundrejt të tjerëve”, por synon për të arritur tek një e vërtetë historike, që e kërkon ky vit jubilar i Gjergj Kastriotit. Se, po të ishte thjeshtë çështje “karshillëku” çështja e “përkatësisë krahinore” të Kastriotëve, autori nuk do të përpiqej aq shumë për të vërtetuar “hipotezën” e tij për Kastratin e Hasit si vendorigjina e mundshme e fisit të Kastriotëve.

Sidoqoftë, pa u ndalur tek “argumentet” që sjell Profesori për të hedhur poshtë “hipotezat” e prejardhjes së Kastriotëve nga Mati e nga Dibra, ndjej detyrimin të kundërshtoj disa “argumente” që sjell Profesori i nderuar për të kundërshtuar tezën e prejardhjes mirditore të Kastriotëve legjendarë. “Kjo hipotezë, thekson ky autor, mbështetet në disa autorë të huaj që nuk mbajnë parasysh ndarjet krahinore-etnografike të një kohe të mëparshme, por nisen nga realitete të shekullit 19-20”. Por e vërteta nuk është kështu!

Për mbrojtjen e tezës së prejardhjes mirditore të Kastriotëve, të hedhur nga historiani austriak Jakob Falmerajer dhe të mbrojtur nga historiani Athanas Gega, të cilin Fan S. Noli e quan njohësin më të mirë të historisë së Gjergj Kastriotit, jam nisur nga vepra madhore e Marin Barletit dhe nga parashtrimet lapidare të Fan S. Nolit në veprën e tij “Historia e Skënderbeut”, në variantet e viteve 1921 dhe 1947.

Se ky historian pohonte prerë qartë: “Mirditën dhe Hasin i kishte Gjon Kastrioti, po Barleti s’ua përmend emrat fare dhe i përmbledh me emrin e përgjithshëm Aemathia”, duke shtuar se “Aemathia e Barletit ka qenë, që nga koha e tij e gjer sot, një burim lajthitjesh (për historianët-shënimi im), se me këtë emër quhej në kohët e vjetra Maqedonia Jugore dhe, shpesh, tërë Maqedonia”.

Për këto “lajthitje”, kam theksuar, na rrëfen edhe Atë Zef Valentini, kur sjell dëshminë se “Sipas Barletit, projë (mbrojtës ose komandant i forcave mbrojtëse-shënimi im) e Sfetigradit kanë qenë ndër duar të një abati të kishës së Shën-Lleshit në zonën e Matës (?!), i cili ishte prej familjes së zotnive të Përlatit”, ndërkohë që kisha e Shën-Lleshit ndodhet në Orosh të Mirditës dhe jo në Mat, po as në Dibër e Kastrat, ashtu si edhe fshati Përlat nuk gjendet në Mat, por në Mirditë.

Dhe “lajthitjet” e disa studiuesve e historianëve, të cilët nuk e pranojnë origjinën mirditore të Kastriotëve, duket se kanë ardhur për dy arsye: Ose nuk e kanë kuptuar, ose nuk kanë dashur ta kuptojnë historianin Marin Barleti. Se ai, me emërtimin “Mat” ose “Aemathia”, tregon jo krahinën e Matit të sotëm, por Mirditën etnografike. Këtë e zbulon qartë edhe një fragment i shkëputur nga libri “Antologjia e re e shkencave, e letërsisë dhe e arteve”, volumi 33, botuar në Firencë më 1876, në të cilin thuhet se “Mati…shtrihet jo larg nga Drini dhe përbën një vend pjellor dhe të populluar, të banuar nga mirditorët e famshëm, njerëz të bukur, të guximshëm dhe të rreptë, të panënshtrueshëm ndaj çdo autoriteti. Në këtë vend lindi Gjergj Kastrioti i famshëm, i quajtur Skanderbeg”.

Këtë të vërtetë sikur e shpalos edhe një dëshmi që sjell vetë Marin Barleti, i cili, duke bërë fjalë për përgatitjen e një beteje kundër turqëve nga qyteti i Lezhës, shkruan: “Këtë ushtri Skënderbeu e ndau më dysh. Në krye të njërës vuri princin Lekë Dukagjini,…kurse në krye të tjetrës vuri Nikollë Monetën, fisnik prej Shkodre… Këta, duke drejtuar forcat, prej Lisit (Lezhës-shënimi im), përmes fushave të Matit (?!) dhe pyllit të Jonimëve (fis mirditas, që shtrihej nga Lezha në Rrëshen të Mirditës-shënimi im) do ta sulmonin armikun nga një anë, ndërsa ai vetë do ta sulmonte nga ana tjetër”. Dhe, në këtë fragment, edhe emrat e përsonazheve historikë, edhe emrat e vendeve, na çojnë në trojet e Mirditës etnografike dhe jo në Mat!

Ndoshta ka qenë kjo arsyeja që Fan S. Noli ynë i madh e ka vënë në dyshim që heret tezën që i bën Kastriotët me origjinë nga Mati, nga Dibra apo nga Kastrati i Hasit a i Shkodrës. Këtë e bënte kur shkruante se “Në Dibër të Poshtme ka një katund të quajtur Kastriot, por nuk dihet a e ka marrë emrin katundi nga Kastriotët, apo Kastriotët nga katundi”. Këtë e bënte edhe kur, si gjuhëtar, shtonte se “Etimolgjikisht, është shumë e rëndë të dalë llagapi Kastriot nga një Kastrat”.

Lidhur me këtë pohim të historianit tonë duhet mbajtur parasysh edhe fakti historik që edhe Kastrati i Hasit, në shekullin XV, shtrihej brenda territorit të Principatës së Dukagjinëve, e cila ishte treva e Mirditës etnografike në atë periudhë historike. Për këtë na bind konkluzioni, që vjen në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985, sipas të cilit “banorët e Hasit, edhe sot e kësaj dite, e quajnë veten dukagjinas dhe krahinën e tyre-Dukagjin”. Këtë të vërtetë e bën të njohur edhe historiani Athanas Gega, kur shkruan se “Del që Hasi e ka pranuar qeverisjen e Mirditës deri më 1880”.

Por çështjen e emërtimit “Kastrat” sikur e bën fare të qartë historiani kroat Milan Shuflay, kur na dëshmon se “Edhe fillimi i fiseve të sotme shqiptare është shekulli XV, por edhe prej shekullit XIV”, duke shtuar se “Kastratët, embrioni i të cilëve ishte afër rrënimeve të “taborit” romak pranë rrënojave të Kastrës, që në vitin 1559, banonin mbi Shkodër-Orosh”. (f. 150) Se kjo vijë tregon jo thjeshtë Kastrin e Kastriotëve në fshatin Vig të Mirditës, por edhe trojet e hershme të kësaj krahine me shtrirje të gjërë gjeografike që, si territor i Dukagjinëve, shkonte deri në Prizren.

Dhe që Kastriotët nuk e kanë origjinën nga “Dibra e Poshtme” e marrim vesh edhe nga pohimi i Marin Barletit, i cili, duke rrëfyer për një vizitë të Gjergj Kastriotit në krahinat e zotëruara prej tij në vitin 1451, shkruan se “Duke shetitur kështu me kalë dhe duke këqyrur me kujdes gjithë vendin me radhë, Kastrioti erdhi në Dibër të Poshtme, në prag dhe gati mu në kufi të mbretërisë së vet, në vendin ku, sidomos barnorët, e kishin zakon të mësynin Epirin dhe t`u rrëmbenin fshatarëve gjënë pa u dënuar, duke i shtypur të pambrojtur”. Se, po të ishte nga këto anë fisi i Kastriotëve, historiani do ta kishte përmendur këtë fakt të rëndësishëm për një historian serioz.

Dhe Fan S. Noli i madh sikur i orientonte historianët e të ardhmës në kërkim të të vërtetave historike, kur kujtonte se “Thaloc dhe Jeriçek (në veprën “Zwei Urkunden aus Nordalbanien”-shënimi im) e quajnë përrallë sllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë se llagapi i tyre…tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri”, tezë që e kishte hedhur me kohë edhe historiani austriak Jakob Falmerajer kur shkruante se “Kastriotët ishin nga fshati Kastër i Mirditës”.

Edhe më i madhi historian i gjysmës së dytë të shekullit XX- Aleks Buda, si pa dashur, në këto vise na çon, kur pohon se “Sipas të dhënave të një marrveshjeje tregtare me qytetin e Dubrovnikut (1420), tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit nisnin në perëndim, në bregdet, në rrethinat e qytetit të Lezhës dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit, d.m.th, përfshinin trevën në jug të lumit Drin, Mirditën e Lumën”. Këtë sikur e miraton edhe historiani francez Zhan Dysylje sikur perifrazon historianin e paharruar Aleks Buda, kur pohon se “Midis rrjedhës së poshtme të Matit dhe të Drinit shtriheshin zotërimet e Kastriotëve dhe të Dukagjinëve, ku Lezha ishte kryeqendër”. Dhe çështjen e bën të qartë Rilindasi i shquar Preng Doçi, i cili u tregon pasardhësve se “Lezha ka bërë pjesë, sikurse edhe sot (1885-shënimi im), në trevën e Mirditës, që lufton nën shenjën e Gjergj Kastriotit dhe qe cep i Dukagjinëve”.

Pas këtyre dëshmive e referencave, të cilave mund t`u shtojmë edhe dhjetra të tjera, shtrohet pyetja: A mund të qendrojë mendimi i Prof. Asoc. Dr. Muhamet Bela se “Kjo hipotezë (hipoteza për Mirditën si vendorigjina e Kastriotëve-shënimi im) na duket e pambështetur në argumente, pasi duhet zbritur në kohë dhe verifikuar nëse në burimet e kohës spikat krahina e Mirditës apo jo, dhe nëse lidhet me argumente të tjera përveç koincidencës së një toponimi që nuk verifikohet në kohën e Skënderbeut, me rrënjën e mbiemrit Kastriot”?

Se, qoftë edhe në ato dëshmi e referenca të parashtruara më sipër, është “zbritur në kohë” nga autorët e cituar. Përveç kësaj, siç e kërkon edhe autori i shkrimit, “në burimet e kohës spikat krahina e Mirditës”, e cila në mesjetë njihej me emrin “Dukagjin”. Dhe duket se në citimet e sjellura nga autorë të ndryshëm nuk kemi të bëjmë me një “koincidencë të një toponimi që nuk verifikohet në kohën e Skënderbeut, me rrënjën e mbiemrit Kastriot”, kur e njëjta “hipotezë” del tek disa studiues a historianë shqiptarë dhe të huaj.

Por Profesorit të nderuar, nga pasioni për të mbrojtur “hipotezën” e tij të prejardhjes së Kastriotëve nga Kastrati, i shpëton edhe ndonjë citim që e “tradhëton”, “hipotezën e tij të” prejardhjes së Kastriotëve nga Kastrati. Kjo duket kur ai, duke iu referuar një fragmenti nga Historia e Shqipërisë, botim i vitit 2002, përmend se “Në vitin 1553, Andrea Engjëlli ka shkruar në Romë se “paraardhësit e Gjon Kastriotit, përveç Matit, kanë zotëruar Kastorien dhe Ymenestrien””. Se kjo tezë nuk bën gjë tjetër, veçse vërteton në dritë të diellit tezën e prejardhjes mirditore të Kastriotëve legjendarë! Se në këtë pohim, Mati, pra, Mirdita, rezulton të jetë trualli i parë i zotëruar nga Gjon Kastrioti dhe pastaj vinë Kastoria e Ymenestrie.

Se edhe në librin “Historia universale”, e shkruar nga Çezare Kantu, volumi XII, faqe 14, pohohet e vërteta e madhe se “Gjergj Skënderbeu, me titullin e ushtarit të Jezu krishtit, ishte në krye te një lidhjeje princash katolikë të Shqipërisë së Epërme, që, me trimat e tij mirditorë, kundërshtoi Muhamedin dhe, duke pasur këtë mandat, kërkonte adhurimin e shpatës së tij”. Dhe çfarë?. Të mos i besojmë këto dëshmi që na vinë nga thellësia e shekujve dhe nga njerëz të ditur?! Se ata  sikur na e thonë shumë qartë se Mirdita rezulton të jetë vendorigjina e Heroit tonë Kombëtar-Gjergj Kastriotit!

*Autor i 16 librave poetikë, publicistikë, historikë dhe gjuhësorë

12 komente në “Nga Mirdita e Kastriotëve e kanë prejardhjen dhe Kastratët e Hasit, çfarë thonë historianët”

  1. says:

    S’ka investime dhe atje.

    1. Toni says:

      Figurat me te larta qe ka nxjerre Mirdita qe i kane kontribuar shtetit shqiptar jane.Gjela Biba dhe Kaubojsi. Per sa i perket periudhes osmane mirditoret qe numeroheshin me gishta ne ate kohe .Jetonin neper shpella ose kasolle prej kashte.Gje qe e lente jashte kultures se nje superfuqie sic ishte Perandoria. Dhe nuk kishin mundesi te jepnin kurrfare kontributi per pernadorine.Sic dhane shume shqiptare te tjere. Midis tyre dhe Skenderbeu por qe nga titulli ishte shume i vogel ne krahasim me shqiptaret e tjere qe i kontribuan Perandorise legjendare Osmane. Grada Iskenderbey ne krahasim me Bejler Bej ose Sanxhak Bey. Ishte si te krahasosh shoferin e nje makine me inxhinierin ose disenjatorin qe e ka prodhuarar ate makine.

    1. ... says:

      Pp mysliman dhe pasardhes te Gjergjin,ikni moe hajdara

  2. Prshndt. Z. Lleshi, kumtesen serjoze me
    lejoni te ve ne dukje ket detaj: ne kohe te ndyshme krahina Aemathia (dikur u be Mat),
    ka pase territor dhe kufij te ndyshem, pra eshte e arsyeshme te mendohet ashtu si thoni qe Mirdita e sotme bashke me trevat perreth ka qene nji nga Aemathiat; aq e fuqishme dikur kur perfshinte Mirdite-Mat- Lezhe- Dukagjin te sotem, s’po flasim per Maqedinine e sotme, edhe ajo dikur Aemathia,
    meqe nuk po flasim per kete.
    Duke shpresu qe u spjegova mjaftesisht qarte, j’u uroj studime te tjera, yh, studjuese Tirane.

  3. Zigur Qarri says:

    Duhet pare thelle kjo pune,duhet gjetur filli,se ka edhe ngatrresa.
    Castro dhe Castrato,jan dy fjale me kuptime te ndryshme.

  4. Opinion. says:

    Rrnofte e Kofte mirdita kastriote heroike.
    Ngodhje per gjithe turkofonet e etnit kopilat e tyre aziatik.
    Mirdita i pshurren ne flamurin gjigant turk te firma e erdoganit te hidrocentrali.
    Mitrovica trime gjithon me mirditen heroike.

    1. Toni says:

      @Opinion.Po hidocentralin e Erdoganit qe ju beri me drita e ju hapi syte nga burgu erresires pse nuk e prishet?! Erdoganit duhet ti beni bustin ne mes te Mirdites se ju beri me hidocentral. Ju sollin driten ne mes te verberise qorre qe mbulonte rrethin tuaj. Turqia edhe me pare gjate kohes se perandorise ju afroj akoma dhe me shume me fene tuaj duke ju ndertuar dhe kishat. Por fatkeqesisht ne kohen e komunizmit ju i shkaterruat kishat ashtu ashtu sic shkatrruat dhe flamurin ose i kthyet ne stalla bagetish. E sot per cudi hiqeni me katolik se Papa. Turp.

  5. Fran Cukaj says:

    E kush nuk do të donte me e pasë kojshi Gjergj Kastriotin ? Me sa duket , kastriotologët po bazohen në grimca për të nxjerrë përfundime . Në se nuk është e mundun me u gjetë vendlindja e Gjergj K. , shkencëtarë le ta argumentojnë “Përse jo ?” . A ka kritere vendimtare për të vlerësua të dhënat si përcaktuese të vendlindjes së njerëzve të shquem ? Cilat janë ato ? Mendimi im është se jo diskutimet do të mund të çojnë në zgjidhjen e duhun , por studimet e më tejshme të thellueme në fushën përkatëse ….. Megjithatë Preng shkrimi yt demonstron se ti vazhdon të kesh zellin e dikurshëm , tregon se e don MIrditen , por duhet të jesh i përgatitun për më pak xhelozi në rastin kur Gjrgj K mund të provohet edhe si bir Kastrati , etj . Të përshëndes ! më parshëm

  6. Tony says:

    Ky pseudo analist paska rrjedhjur!
    Kastrioti ka qene dhe eshte krahin ne Diber.
    Gjergj Kastrioti e nisi luften me dibrane e jo me Matjan e Mirditor.
    Vetem ne diber jane bere 19 beteja me turqit dhe sanje ne Mirdite e Has.
    Kur luftonte Skenderbeu hasi nuk ka qene si emer.
    Barleti e ka vjedh historin e skenderbeut?
    Per skenderbeun ka shkruar dikush tjeter para Barletit dhe barleti i ka bere thenjet e tije si te veta.
    Turqit e shajne si anti turk por kane dhene te dhena se ishte shqipetare dhe nga Dibra.
    Te shkruash per historine nuk eshte lete. se i ngjan si Lubonjes dhe Milos qe kane rrjedhur.
    Te shkruash per historine ne ballkan duhet te njohish disa gju; Turqishten e vjeter, Greqishten e vjeter, Latinishten, Italishten. Anglishten Serbokroatishten etjer.
    Ku i merr keto te dhena e nesmja do te thote se ishe nje mashtrues qe nuk e ke stuidjuar kurre historine.

    1. alban says:

      Ju duhet te ju besojme se me duket jeni bashkekohes i skenderbeut e i shume bejlerve e anadollakve, por nuk ke asnje shanc qe as ta permendesh emrin e Gjergj Kasteriotit te madh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje