Platforma për zbarkimin e migrantëve, qendra të kontrolluara, forcim të kufijve të jashtëm janë nga pikat kryesore të marrëveshjes së arritur sot në mëngjes mes liderëve të shteteve të BE-së për migrantët, pas një nate negociatash të tensionuara.
-Platforma për zbarkimin e migrantëve-
Liderët e 28 shteteve anëtare bëjnë thirrje për të shqyrtuar sa më shpejt konceptin ende të paqartë të platformave rajonale për zbarkimin e migrantëve të shpëtuar në det, jashtë territorit të Europës, në bashkëpunim me Komisariatin e Lartë për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare e migrantëve (ONM), për të frenuar kalimet në Mesdhe.
Asnjë vend i tretë nuk është ofruar deri tani për të ngritur qendra të tilla pritëse për migrantët e shpëtuar në ujërat ndërkombëtare, ku çështja parashtrohet në dallimin e migrantëve me dokumenta të parregullta nga azilkërkuesit e pranueshëm në BE, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Maroku dhe Shqipëria kanë bërë tashmë të ditur se nuk do të pranojnë qendra të tilla. Këto shtete kanë ende shumë dyshime në mesin e shteteve europiane, në lidhje me linjat konkrete të platformave si për shembull përputhshmëria me të drejtën ndërkombëtare të këtyre zbarkimeve jashtë territorit të Europës.
-Qendra të kontrolluara-
Migrantët e shpëtuar në ujërat europiane mund të jenë përgjegjësi e qendrave të kontrolluara në territorin e BE-së, parashikon teksti, nga ku ata mund të shpërndahen në Union kur përzgjidhen për te fituar te drejtën e azilit ose do te kthehen drejt shteteve të tyre në rast të kundërt.
Por, krijimi i këtyre vendeve, që do të pajisen me fonde europiane, nuk i është bërë i ditur shteteve anëtare, dhe në të njëjtën mënyrë ndarja e akomodimit duhet të bëhet vullnetarisht.
Italia e cila e përshëndeti këtë propozim nuk specifikoi gjithsesi nëse do të krijonte zona të tilla në territorin e saj. Teksti flet për qendra të kontrolluara dhe jo të mbyllura siç është propozuar nga Franca, ndonëse kuptimi i kësaj nuance ende nuk është i qartë.
-Lëvizje dytësore-
Kompromisi përfshin një paragraf në luftën kundër zhvendosjeve të migrantëve mes shteteve të BE-së pa pritur vendime për rastet e tyre nga shtetet ku ata mbërrijnë fillimisht, të cilësuara si lëvizje dytësore.
‘’Shtetet anëtare duhet të marrin të gjitha masat e domosdoshme legjislative dhe administrative të brendshme për të kundërshtuar lëvizje të tilla dhe bashkëpunuar ngushtë mes tyre për këtë qëllim.
Lëvizjet dytësore janë në qendër të tensioneve mes kancelares gjermane, Angela Merkel dhe aleatit të saj kryesor të së djathtës në qeveri, CSU-së i cili kërcënon me zmbrapsje të njëanshëm në kufirin jugor të Gjermanisë të migrantëve të regjistruar tashmë gjetkë në mëngesë të zgjidhjeve europiane për këtë problem.
-Kufijtë e jashtëm-
Marrëveshja parashikon të rrisë burimet e Agjencisë Europiane të Rojave Bregdetare, Frontex, duke i dhënë më shumë burime financiare pa dhënë shifra dhe një mandat më të gjatë.
Ajo parashikon gjithashtu të forcojë mbështetjen për rojat bregdetare libiane dhe i bën thirrje të gjitha anijeve që punojnë në Mesdhe që të respektojnë ligjet në zbatim dhe për të mos penguar operacionet e rojeve bregdetare libiane. Një kalim kryesisht i vlerësuar nga ana e Maltës dhe Italisë.
Të 28 shtetet ranë dakort për të zhbllokuar këstin e dytë të fondit prej 3 miliardë euro për të ndihmuar refugjatët në Turqi dhe për të dhënë fonde të BE-së për Afrikën, për të luftuar shkaqet e migracionit.
-Rregullorja e Dublinit-
Duhet gjetur një konsensus për Rregulloren e Dublinit në mënyrë që ajo të reformohet në bazë të një ekuilibri mes përgjegjësisë dhe solidaritetit, shkruhet në marrëveshje, por pa paraqitur ndërkohë kalendar për të përmbyllur këtë reformë.
Fillimisht ishte parashikuar që samiti të mundësonte arritjen e një kompromisi, por qëndrimet e kundërta janë ende shumë të forta në lidhje me ndryshimet që do të bëhen në legjislacionin europian, i cili i beson përgjegjësinë e trajtimit të kërkesës për azil në shtetet e para hyrëse.
Komisioni propozon për të mos iu përmbajtur këtij parimi në periudhë krize, me shpërndarjen e detyrueshme të azilkërkuesve nga shteti i parë pritës. Por shtete si Hungaria dhe Polonia të mbështetura nga Austria janë dalë hapur kundër.
Italia kërkon nga ana e saj një sistem të përhershëm për shpërndarjen dhe anashkalim të parimit të përgjegjësisë së vendit të parë pritës./ATSH-AFP/