Agjencisë e shërbimeve sekrete amerikane besojnë se Koreja e Veriut e ka rritur prodhimin e karburantit të nevojshëm për armët bërthamore në disa vende sekrete të shumëfishta gjatë muajve të fundit, e ndoshta po përpiqet ta fshehë një veprimtari të tillë teksa kërkon lëshime në bisedimet mbi çështjen bërthamore me Shtetet e Bashkuara.
Ky është raportimi i “NBC News”, që citon disa zyrtarë amerikanë.
Në raportin e së premtes, rrjeti informativ tha se, ajo që e përshkroi si vlerësimi i fundit i shërbimeve sekrete amerikane duket se po shkon kundër pritshmërisë së shprehur nga presidenti amerikan Donald Trump, që shkroi në “Twitter” pas samitit të paprecedentë të 12 qershorit me kreun e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, se “nuk ka më kërcënim bërthamor nga Veriu komunist”.
“NBC” ka cituar 5 zyrtarë amerikanë në kushtet e anonimitetit të shprehen se gjatë muajve të fundit, Koreja e Veriut ka përshkallëzuar prodhimin e uraniumit të pasuruar për armët bërthamore, edhe pse është angazhuar në bisedime diplomatike me Shtetet e Bashkuara.
Rrjeti citon zyrtarët të thonë se vlerësimi i shërbimeve sekrete arrin në konkluzionin se Koreja e Veriut ka më shumë sesa një vend sekret bërthamor, përveç mjediseve të njohura të prodhimit në Yongbyon, shkruan TCH.
“Ka prova absolutisht të qarta se ata po përpiqen të mashtrojnë Shtetet e Bashkuara”, citohet të jetë shprehur njëri prej zyrtarëve.
Gjithsesi, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) refuzoi të komentonte raportin e “NBC”. Departamenti i Shtetit, ndërkohë, tha se nuk mund ta konfirmojë dhe as të komentojë çështjet e shërbimeve sekrete. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj gjithashtu kërkesës për komente.