Nga Alfred Peza
Lajmi se mediat e printit kanë “vdekur” në Shqipëri, nuk është i ri. Ndaj prej shumë kohësh, gjithkush e ka menduar versionin mediatik të thënies së famshme: Gazetat dhe revistat vdiqën, rrofshin websitet dhe facebook-u! Ndërsa versionet online të vetë gazetave, kanë shumë herë më tepër lexime dhe klikime, sesa tirazhi i të gjitha titujve që vazhdojnë ende që të dalin në treg “për sedër”. Ka një tregues që ia vendos vulën gjithë këtij diskutimi: Torta e reklamave të mediave online, prej kohësh është më e madhe se ajo e mediave të printit.
Kjo tendencë sa vjen e thellohet, në përpjestim të drejtë me rritjen e shpejtësisë së dhënies së informacioneve në mediat e reja të interentit, shumëllojshmërisë së produkteve mediatike që postohen në hapësirat e tyre dhe ndikimit të websiteve informative tek njerëzit, të cilë kanë filluar që të krijojnë tashmë, “varësi” prej lajmeve të tyre. Nëse deri dje, leximi i një gazete në mëngjes sëbashku me gjerbjen e kafesë, ishte një nga veset më të mëdha të shoqërisë njerëzore, sot ajo është zëvendësuar me varësinë nga celulari. Mjafton që të kesh internet në të dhe “vesi” i leximit të lajmeve nëpërmjet celularit, është shndërruar tashmë në një mënyrë jetese, duke na mbajtur “të lidhur” jo vetëm çdo mëngjes, por gjatë gjithë ditë-natës.
Nëse në një vend me tradita të mëdha në mediat botërore si Britania e Madhe, prej vitesh sasia dhe vlera e reklamave të mediave online ia kanë kaluar atyre të televizioneve, kuptohet se kjo është një tendencë që herët ose vonë do të vijë edhe në vende me një traditë më të brishtë si Shqipëria. Kjo do të thotë, se herët ose vonë, websitet e informacionit edhe në Shqipëri, do të futen në pjesën e tortës së reklamave të televizioneve, duke u forcuar dhe zhvilluar në këtë mënyrë edhe produktet e tyre televizive. Me me kalimin e viteve, edhe këtu do të ndodhë ajo që kanë paralajmëruar ekspertët e shquar të gazetarisë botërore:
Të gjitha mediat, herët ose vonë do të përfundojnë, në një kuti të vetme. Në celularët e gjithësecilit prej nesh. Nga aty, do të shpërndahen për njerëzit nëpërmjet internetit, edhe “gazetat” online, edhe “revistat” online, edhe “radiot” online, edhe “televizionet” online. Pra të gjitha zhanret mediatike do të serviren nëpër platforma inteligjente hiperaktive, lehtësisht të aksesueshme nga të gjithë.
Zhvillimi i tregut të ri të mediave online ka nisur që të japi efektet e saj që tani në Shqipëri. Televizionet gjeneraliste kombëtare ose jo, nuk janë më si dikur në garë për emisionet e lajmeve, sepse tashmë gara e informacionit ka kaluar në online. Televizionet e mëdha tani janë në garë se kush e kush bën më shumë show televiziv, programe argëtimi, humori, muzike, thashethemesh, telenovelash njerëzore, etj. Ndaj është rritur kaq shumë çmimi i humoristëve në treg dhe janë bërë kaq shumë të kërkuar gazetarët e kronikës së zezë.
Kjo tendencë do të vijë duke u thelluar me siguri edhe në të ardhmen, duke detyruar emisionet e dikurshme të debateve politike, që të meren me tema krejt të tjera nga ato seriozet dhe çështjet me rëndësi kombëtare, siç kanë bërë deri pak vite më parë. Drejtuesit e këtyre emisioneve, sa vijnë e po i ndryshojnë dhe diversifikojnë profilet e personazheve të ftuar në panelet e tyre. Ndaj, është kjo arësyeja që më shpesh në ekran sheh të ftuar nëpër emisionet informative, një këngëtar, një miss, një blogere, një prezantuese moti sesa një deputet apo ministër, ish kryeministra dhe ish Presidentë.
Nga ana tjetër, edhe televizionet informative, ose ato që quhen “ekrane me titra”, po bëhen gjithnjë e më tepër gjeneraliste, duket futur programe që deri dje, nuk ishin pjesë e formateve të tyre. Gara e tyre me lajmin e fundit, po bëhet gjithnjë e më e vështirë përballë websiteve. Sepse që të mësosh lajmin e fundit në një televizion informativ, duhet domosdoshmërisht që të kesh përballë një ekran televizori. E kjo, nuk është e mundur në çdo moment gjatë aktivitetit ditor të njerëzve. Ndërsa celularin, gjithkush e mban me vete gjithkund, ndaj lajmet nga aty mund ti ndjekin 24 orë në 24, pa ndërprerje, sa herë që të dëshirojnë.
Në shtator, bashkë me fillimin e një sezoni të ri politik, shkollor, sportiv apo financiar, do të kemi edhe fillimin e një sezoni të ri televiziv. Një sezon që me siguri, do të reflektojë përgjatë programeve të vitit të ardhshëm, të gjitha tendencat e reja të ndryshimit agresiv e të pandalshëm të arkitekurës së strukturës sonë në mediatiat tradicionale, për shkak të zhvillimit të pandalshëm të mediave të reja online.