Marota lë tifozët e Juves të ëndërrojnë për Ronaldon: Nuk flas…

4 Korrik 2018, 19:06Sport TEMA

Emri i Kristiano Ronaldos ka ndezur fantazinë e çdo tifozi të Juventusit gjatë 24 orëve të fundit, pasi flitet se mes Real Madrid dhe Juventus ka që tani kontaktet e para për transferimin e portugezit.

Sigurisht, marrëveshja në fjalë është shumë më e vështirë të realizohet, por administratori i përgjithshëm i Juventusit, Bepe Marota, ka lënë tifozët të ëndërrojnë sot, në atë që është prononcimi i parë rreth kësaj teme që kur u përhap në media.

I pyetur rreth futbollistit portugez, ai ka evituar të përgjigjej ndaj gazetarëve të cilët e kanë pikasur në qendër të Milanos. “A mund të ëndërrojnë tifozët e Juventusit Ronaldon? Nuk flas…”, ishte mesazhi i vetëm i drejtuesit të Juventusit që është larguar me shpejtësi.

Në një moment kaq delikat, ai ka preferuar që të mos shprehet as pozitivisht e as negativisht për një transferim të mundshëm, duke pritur si do të rrjedhin ngjarjet, pasi në fakt Ronaldo është në pritje të ofertave edhe nga klube të tjera ndaj deklaratat e parakohshme mund të shkatërrojnë gjithçka.

Kësisoj, edhe tifozët mund të vazhdojnë të ëndërrojnë, deri në momentin kur portugezi të marrë vendimin përfundimtar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje