"Libri për 'mësuesit e rinj' dhe lutja për mirënjohje"

5 Korrik 2018, 13:53Sociale TEMA

Nga Andon Andoni

Më ra telefoni dhe dëgjova një zë të njohur të dikurshëm.

“-Fran Lena nga Parisi, ju telefonon. Do vij këto ditë në Tiranë dhe dua t’iu takoj”

Edhe pse e kisha takuar vetëm njëherë, përpara një viti, kur punoja në Ministrinë e Arsimit, dhe herën e dytë rastësisht në rrethinat e Parisit, ai burë i shtruar dhe i qetë, me një të folur të ngadaltë dhe duke  i zgjedhur fjalët me kujdes, më pat mbetur në mendje.

Përpara një vit, kur punoja për botimin e revistës “Mësuesi” që tani nuk botohet më, Fran Lena, mu drejtua mua si një njeri që merresha me shtypin dhe botimet.

-Kam një lutje,- më thotë,- dua të bëj një takim me Ministren Nikolla. Unë i kam njohur të atin, burrë i mirë shumë, por këtë çupën nuk e njoh!

Pastaj më tregoi dhe arsyes se përse donte ta takonte.

Kishte përkthyer nga frëngjishtja, pas plot viteve punë, një libër manual, për mësuesit e rinj. Si një nëpunës i vjetër dhe mësimdhënës i thekur që në kohë, mendonte se ky përkthimi i tij, do t’iu vlente mësuesve të rinj, por edhe atyre më të vjetër, pasi silleshin për herë të parë, sipas tij, risi dhe çështje të zgjidhshme për mësuesit dhe shkollën tonë, nga sistemi arsimor i një vendi laik siç është Franca.

-Ja po e quaj të realizuar, takimin me ministren,- ja kthej ,- po pastaj?

-As gjë, këtë pronë timen intelektuale, dua t’ia fal ministrisë, në ndihmë të mësuesve të vendit tim…

Mu kujtua që,  dhjetë vite më parë, nga pranvera e 2008-ës, i ndjeri Profesor Shefik Osmani, donte t’i pronësonte Ministrisë, një Historik të plotë të Arsimit Shqiptar që nga fillesat dhe deri në vitet 90.

Nuk kishte mundësi ta botonte me shpenzimet e veta. Kërkonte, mbaj mend, tani në ekonominë e tregut të lirë, vetëm 5 milion lekë të vjetra si shpërblim për punën e një jete të tërë.

I kthyem përgjigje, përmes zyrës së shtypit dhe botimeve të asaj kohe, se nuk kishte një ligj për të justifikuar një gjë të tillë.

Profesori ndërroi jetë pas pak kohe dhe ai libër që priste botimin, kushedi ku humbi a mbeti, bashkë me pengun tonë për “ligjet e ngurta”.

Tek ja thoja Fran Nelës këtë gjë, mendoja për takimin e tij me ministren dhe nëse do ishin bërë ligjet më fleksibel se më parë.

Kjo ishte para një viti.

Erdhi pak ditë më parë nga Parisi dhe e takova, tek kafja në oborrin e Ministrisë. Takimin dhe vendin e vendosi Frani. Ishte së bashku me bashkëshorten, një mësuese në pension edhe ajo, por që fliste orë e çast për arsimin.

-Librin, ” Udhërrëfyes për mësuesit e rinj”,  me redaktimin e profesor Enver Hysës e kam futur në shtyp, – më dha lajmin.

U gëzova pa masë, por dhe mbeta paksa në habi, për mënyrën e shtypit, nëse kishte gjetur mundësi sponsorizimi etj…

-Jo, me lekët e pensioneve tona. Më vinte keq ta humbisja gjithë ata punë…Libri del në fillim të Korrikut nga botimet “Ilar”. Nuk e pyeta për nismën e para një viti dhe se pse nuk mundi dot ta takonte Ministren Nikolla.

Gjersa libri “për mësuesit e rinj” kishte marrë udhë, ai burrë fisnik hiqte një barrë të madhe nga vetja duke ia ngarkuar tash e tutje, mbi shpinë, mësuesve të rinj.

Donin së bashku me të shoqen, të vizitonin edhe mjediset e brendshme të ministrisë të rikonstruktuar tashmë, edhe pse ishte ditë e shtunë.

Bëra me kokë nga njëri prej punonjësve të dikasterit, që ishte aty, dhe që mund t’ia u plotësonte këtë dëshirë, pastaj u ngrita duke u përshëndetur, me mendimin se këta njerëz nuk mposhten nga as gjë, kur kanë një ëndërr të madhe për arsimin e bashkëkombësve të tyre.

Asnjë burokraci nuk mund t’i pengojë dhe ndali. Shpresat janë gjithnjë të pashuara.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje