Kina forcon lidhjet me Europën Lindore e Juglindore

7 Korrik 2018, 15:33Bota TEMA

Kina ka interes për një Europë të fortë, u shpreh kryeministri kinez, Li Keqiang në takimin e kryeministrave të vendeve të Europës Qendrore, Lindore e Juglindore që zhvillohet në Sofje, i njohur si takimi 16+1.

Shoqëruar nga një sërë delegacionesh me sipërmarrës nga vende të ndryshme ka filluar në Sofje samiti i Europës Qendrore e Lindore me Kinën (07.07). Kryeministrat e vendeve të Europës Qendrore, Lindore e Juglindore takohen në konferencën e njohur, si takimi 16+1, bashkë me kryeministrin kinez, Li Keqiang Në hapje të takimit, kryeministri kinez, Li Keqiang u shpreh, se Kina do të shohë një Europë të fortë dhe të hapur. Kjo është edhe në interesin e Kinës, tha ai.

Ndërsa mikpritësi i takimit, kreu i qeverisë bullgare, Boiko Borisov u shpreh se ky „format nuk ka qëllimin të ndajë, por të bashkojë Europën.” Ai iu referua kështu kritikave të vazhdueshme nga BE, se një takim i tillë me Kinën minon unitetin e Bashkimit Europian. Kooperimi i Kinës me vendet europianolindore alarmon Bashkimin Europian. Diplomatët e Brukselit thonë se strategjia është „përça e sundo”. Në Bullgari Kina po merr pjesë në ndërtimin e centralit atomik, Belene dhe ndërtimin e autostradave dhe linjave hekurudhore.

Kina premton tregtinë e hapur

Ky takim renditet për Pekinin në projektin e Rrugës së Re të Mëndafshit, që synon të lidhë Kinën me Europën. Bëhet fjalë për bashkëpunim në infrastrukturë, ekonominë energjitike, teknologji, turizëm e kulturë. Kryeministri Keqiang theksoi në Sofje se Kina do të vazhdojë të ndjekë politikën e tregjeve të hapura, kjo një ditë pasi Uashingtoni dhe Pekini vendosën tarifa doganore reciproke në vlerën e 34 bilionë dollarëve. Kryeministri kinez theksoi se Kina do të vazhdojë të mbajë të hapur derën për produkte të huaja, sepse tregtia e hapur siguron rritjen ekonomike globale.

Takimi 16+1 zhvillohet rregullisht nga viti 2012. Paralelisht me krerët nga politika, në Sofje kanë ardhur edhe 1000 biznesmenë nga vendet pjesëmarrëse si Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Lituania, Maqedonia, Serbia, Sllovakia e vende të tjera. Vendi mikpritës Bullgaria kishte ftuar si të ftuar nderi kancelaren gjermane, Angela Merkel, por ajo nuk merr pjesë.(dw)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje