Neymar rrëfehet pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës

7 Korrik 2018, 18:59Sport TEMA

Eliminimi i Brazilit nga Kupa e Botës “Rusi 2018” ka zhgënjyer të gjithë fansat e kombëtares “Selecao”, që edhe pse ishte favoritja kryesore për ta fituar këtë event, tashmë do ta shohë pjesën e mbetur të Botërorit nga shëpia. Protagonisti më i shumëpritur i këtij ekipi ishte sulmuesi Neymar, që më shumë se për golat e realizuara do të mbahet mend për skenat e tij në fushën e lojës, ku rrëzohej thuajse pas çdo kontakti.

Në një postim në faqen e tij zyrtare “Instagram”, sulmuesi i PSG-së shprehet: “Mund të them se ky është momenti më i trishtueshëm i karrierës time. Dhimbja pas eliminimit është shumë e madhe, pasi ne e dimë se i kishim të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar dhe për të shkuar më tej, për të bërë historinë. Por nuk ishte dita jonë. Është e vështirë të gjesh forcën për të luajtur sërish futboll, por e di që Zoti do të më ndihmojë të jem sërish i fortë për t’u përballur sërish me këdo”, tha Neymar.

Më tej, sulmuesi brazilian shton: “Dua të falënderoj Zotin edhe pse u mundëm, pasi e di që rruga jote është shumë herë më e mirë se e imja. Jam i lumtur që isha pjesë e kombëtares së Brazilit, jam krenar për gjithçka bëmë në Botëror. E lamë në mes ëndrrën tonë, por ajo ëndërr nuk është shuar as nga mendja dhe as nga zemra jonë”, tha Neymar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje