"Preferoni të keni një shef mashkull apo femër?" Barometrin e Ballkanit: Shqiptarët më të çuditshmit në rajon, ja rezultatet e përgjigjeve

16 Korrik 2018, 08:10Ekonomia TEMA

Punonjësit shqiptarë kanë preferencat e tyre dhe nuk janë shumë indiferentë nëse kanë mbi krye një mashkull apo një femër.

Në Barometrin e Ballkanit, të anketurave u është drejtuar pyetja: “A preferoni të keni një shef mashkull apo femër në punë”.

53% e të anketuarve shqiptarë janë përgjigjur që nuk kanë ndonjë preferencë.

Kjo është përqindja më e ulët në rajon, pasi vendet e tjera janë treguar më indiferente në preferencat e tyre. Psh për 73% të shtetasve serbë, apo 70% të atyre nga Kosova, nuk ka rëndësi gjinia e shefit. Kjo peshë ulet në 60% në Bosnjë dhe 57% në Maqedoni.

Por, si ndahet preference mesa tyre që e kanë cilësuar nëse duan një femër apo mashkull si drejtues. 24% e të anketuarve shqiptarë janë përgjigjur që do të donin të kishin një shef mashkull, më e larta së bashku me Maqedoninë. Më e ulëta është në Kosovë me 12%.

E lartë është preferenca edhe për drejtueset femra, me 23% të të anketuarve shqiptarë. Kjo është dukshëm, përqindja më e lartë në rajon, nga 14% që është mesatarja rajonale dhe pas nesh renditen Maqedonia me 19%, Kosova me 18%, Bosnja me 17% dhe Mali I Zi me 16%.

Dukshëm bien në sy serbët, që nuk duan të drejtohen nga një grua. Vetëm 7% e tyre kanë deklaruar se do të donin që të drejtoheshin nga një femër.

Sipas raportit që shoqëron Barometrin, për gjithë rajonin, ndërsa shumica e të anketuarve (65%) nuk kanë preferencë kur bëhet fjalë për gjininë e shefit të tyre, nga ata që bëjnë, shumica preferojnë meshkuj (21%) dhe më pak femra (14%).

Përqindja e të anketuarve që preferojnë shefin mashkull është më e madhe se ata që preferojnë mbikëqyrësit femra në të gjitha ekonomitë, përveç në Kosovë , ku një përqindje më e lartë favorizon menaxheret gra (18% për femrat dhe 12% për meshkujt).

Në Shqipëri, të dy grupet janë pothuajse identike (23% për femra dhe 24% për meshkuj). Shqipëria ka përqindjen më të lartë të të anketuarve, të cilët preferojnë të drejtohen nga femra.

Raporti thekson se gratë dhe të anketuarit të cilët e vlerësojnë statusin e tyre social si mbi mesataren kanë të ngjarë të jenë më në favor të kenë një shefe femër, në krahasim me mashkull.(monitor)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje